Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për pezullimin e aktivitetit të grupit të punës së Kuvendit për verifikimin e veprimtarisë në ushtrimin e funksionit të ish- kreut të ILDKP-së Zana Xhukës. Gjykata ka vlerësuar se nuk është kompetencë e saj të marrë në shqyrtim një ceshtje të tillë dhe se është një marrëdhënie që duhet rregulluar brenda Kuvendit. Demokratët, me një grup prej 30 deputetësh, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shpallte antikushtetues vendimin e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e veprimtarisë së Zana Xhukës, ish- kryetare e ILDKP-së, pas një kërkese të bërë nga punonjës të këtij institucioni. Pas shkarkimit të Zana Xhukës dhe zevendësimit të saj me Shkëlqim Ganajn, deputetët e opozitës kërkonin “deklarimin si të pa përputhshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.1, datë 11.11.2013, të Komisionit për Ceshtjes Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si shkak për lindjen e mosmarrëveshjes së kompetencës dhe pezullimin e procesit”.