Duke e konsideruar takimin me Kryetaren e Kuvendit si shumë të veçantë për nga rëndësia, ambasadori kubanez theksoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe është ndër prioritetet e punës së tij. Ambasadori Suarez vlerësoi progresin impresionues të Shqipërisë, duke shtuar se Kuba është e interesaur për të dinamizuar marrëdhëniet ekonomike por edhe ato në fushën e kulturës përmes shkëmbit të turistëve apo përfaqësuesve të biznesit. Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Suarez biseduan mbi idenë e ngritjes së grupeve parlamentare të miqësisë në parlamentet reciproke, gjë që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria do të vlerësonte njohjen nga Kuba të pavarësisë së Kosovës, e njohur tashmë nga 62 vende, 90 përqind vende të BE-së. Ajo theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës është thelbësore sepse ka të bëjë me paqen në rajonin tonë. Ambasadori Suarez shprehu kënaqësinë për një vizitë zyrtare të Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar në Kubë.