Tiranë – Kryeparlamentarja Topalli takim me Kryetarin e Unionit Anglishtfolës

Lordi Watson gjatë këtij takimi tha se shpreson që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian. “Integrimi Evropian, mbetet promotor në ecjen tonë përpara dhe ne i jemi mirënjohës qeverisë britanike për të gjithë mbështetjen e dhënë” u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit dhe Lordi Watson diskutuan mbi intensifikimin e marrëdhënieve mes parlamentit të Shqipërisë dhe Dhomës së Lordëve dhe të Komunave në Britaninë e Madhe. Për Kryetaren e Kuvendit bashkëpunimi ndërparlamentar ka një rëndësi unike, ndaj ajo shprehu interesin për rritjen e shkëmbimit e përvojës parlamentare me Britaninë e Madhe, vend me një demokraci mijëvjeçare. Gjatë bisedës u thekua se edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Unionin Anglishtfolës është një nga format e bashkëpunimit, që do të konkretizohet në projekte të përbashkëta. Lordi Watson, duke vlerësuar rëndësinë dhe peshën e parlamentit në kulturën e dialogut dhe debatit, shprehu gatishmërinë e tij dhe të Bashkimit Anglishtfolës jo vetëm në bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, por edhe në procesin integrues të Shqipërisë.