Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i bëri apel kreut të Partisë Socialiste Edi Rama që të lejonte deputetët e opozitës të votonin tre ligjet e “integrimit”. “Prej gati një viti, çdo ditë në rendin e punës dhe axhendën e Kuvendit janë tre ligjet që kërkohen nga Brukseli për t’u votuar, tre ligjet që janë bllokuar prej më shumë se 200 ditësh nga Partia Socialiste, duke bërë të mundur vetën një gjë, bllokimin e marrjes së statusit”, deklaroi Topalli për mediat para selisës së Parlamentit. “Unë sot jam këtu para qytetarëve shqiptarë, vijoi Topalli, me një ftesë ndaj zotit Rama edhe në emër të maxhorancës, por kryesisht si Kryetare e Kuvendit. “Ftoj z. Rama të lejojë deputetët e tij t’i bashkohen maxhorancës dhe të votojnë sot tre ligjet, duke bërë kështu detyrën tonë dhe duke i qëndruar besnik vokacionit perëndimor të shqiptarëve edhe pse shumë vonë edhe pse realizoi qëllimin e tij që Shqipëria të humbte statusin e vendit kandidat”, u shpreh Topalli. Ai, theksoi Topalli, përsëri sot ka një mundësi për të lejuar deputetët për t’u bashkuar me maxhorancën që po presin në sallë. “Në këtë mënyrë ata i qëndrojnë betimit, përgjegjshmërisë, dhe përfaqësimit për të cilin kanë marrë mandatin nga shqiptar, që në 96 % të tyre duan Shqipërinë në Evropë.