“Reforma në drejtësi është me rëndësi për integrimin e vendit tuaj. Austria mbështet marrjen e statusit dhe çeljen e anëtarësimit të Shqipërisë dhe reforma në drejtësi përbën një pikë kyçe, për të cilën duhet bërë një punë bindëse. Shqipëria duhet të tregojë përpjekjet e saj për të realizuar reformat. Në këtë kohë BE ka nevojë për aspirues të plotë dhe të besueshëm dhe reformat janë rruga e vetme për të arritur në besueshmëri”, deklaroi kryeparlamentarja austriake. Znj. Pramer kërkoi nga politikanët shqiptarë kompromis në kryerjen e reformave të diktuara nga procesi i integrimit europian. “Në Austri gatishmëria për kompromis është konstatuar si premisa kryesore për suksesin dhe dy kampet e mëdha politike e kuptuan se si mund të zgjidhen konfliktet parlamentare. Ato gjetën kompromis për të gjetur zgjidhje. Kompromisi politik dhe stabiliteti i palëve ka ndihmuar në suksesin e vendit tim. Shpresoj që Shqipëria të çmoj aftësinë për kompromis dhe parlamentit tuaj, në rrugën drejt BE-së, i takon një rol i rëndësishëm”, theksoi Pramer. Ajo siguroi mbështetjen e Austrisë për Shqipërinë duke veçuar këtu projektin e rëndësishëm me palën austriake të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Kryeparlamentarja e Austrisë, duke u ndalur tek marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, veçoi bashkëpunimet në fushën e arsimit, të konkretizuara me binjakëzimin mes universiteteve shqiptare dhe atyre austriake.


