Tiranë | Kryeministri Rama: 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet

Kryeministri Edi Rama priti sot pasdite në takim, Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefan Fule, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Tiranë. Kryeministri Rama dhe Komisioneri Fule diskutuan mbi qasjen e re që do të udhëheqë hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit, vendosjen e Dialogut të Nivelit të Lartë. Rama dhe Fule shprehën besimin se ky Dialog do të shërbejë si një platformë për adresimin e prioriteteve të kërkuara dhe përparësimin e procesit të integrimit. Kryeministri u shpreh se Qeveria e konsideron këtë një proces gjithëpërfshirës. “Ishte kënaqësi që prita këtu në sallën e Hartave, Komisionerin për Zgjerimin, i cili viziton Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në prag të një nisme që merr jetë nesër, për Dialogun e Nivelit të Lartë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit, si një proces që pa dyshim nuk është eksluzivitet i Qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë.” u shpreh kreu i qeverisë. Ndërsa Komisioneri Fule u shpreh se “Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes Qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.” Në takim, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e fortë të Qeverisë për të shënuar një nivel të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Unë dëshiroj të nënvizoj se ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave, jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë, e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej Qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm.” përfundoi kryeministri Rama.

Advertisement