Shefi i ekzekutivit i kërkoi prokurorisë të jetë e paanshme dhe e pavarur në hetimin e këtyre çështjeve të rëndësishme. Ai kërkoi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive që të nisë hetimet lidhur me mosdeklarimin e pasurive, dhe të përmbushë detyrimin ligjor. Duke i vlerësuar si shumë të vërteta denoncimet me fakte të të përditshmeve shqiptare, për çështjen më të fundit ku inkriminohet edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e gatshme të mbështesë të vërtetën, dhe se do të mbështesë edhe çdo nismë të marrë për të nxjerrë në dritën e diellit këto afera korruptive. Në këtë kontekst shefi i qeverisë, tha se “Ju garantoj se do të mbështes çdo hetim jashtë çdo imuniteti dhe uroj që të njëjtin vullnet të dëshmojë edhe pala tjetër, opozita, pasi respektimi i ligjit dhe kushtetuta janë parësore”. Sipas të dhënave, kunati i ministres, Bregu, Ergys Gjeçaj, bashkëshorti i të motrës, së Bregut, Ornela Bregut ishte aksioner në një biznes me Angelo Prudentinon, të birin e njërit prej krerëve të organizatës pulieze, “Sacra Corona Unita”, Albino Prudentinos, i kapur para pak ditësh në Vlorë. Lidhur me ngjarjen, opozita ka kërkuar që ministrja Majlinda Bregu, të largohet nga qeveria, pasi ajo tashmë është turpi i kësaj qeverie, sic kanë theksuar socialistët.