Tiranë | Kryeministri Berisha zotohet për referendum popullor për heqjen e imunitetit

Arsyeja e mos votimit të draftit ka qenë kundërshtimi i opozitës, deputetët e së cilës kanë kërkuar që votimi të kryhet në muajin shtator së bashku me disa ndryshime të tjera Kushtetuese për zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë. Këtë qëndrim të opozitës mazhoranca e ka cilësuar bllokues për Shqipërinë, që në vjeshtë pritet të marrë statusin e vendit kandidatit në BE. “6 gushti është përcaktuar në bazë të rregullores parlamentare”, ka argumentuar mazhoranca, duke ftuar opozitën të votojë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE. Pas thuajse 8 orë diskutimesh në seancë, kryeministri Berisha e ka komentuar si tërësisht negativ qëndrimin e deputetëve të opozitës. “Duhet të pranonin barazinë para ligjit, të shembnin murin zyrtar të korrupsionit dhe të hapni dyert e statusit kandidat. Rrallë ndonjëherë në historikun e këtij vendi, ligjvënësit shqiptarë do mund të kishin merita dhe efekte të mëdha për zgjedhësit e tyre dhe të ardhmen europiane. Por mjerisht me gjithë rëndësinë jetike të këtij votimi për të çelur dyert e statusit në BE, sot nga 10 e 30 deri në këtë moment deputetët e opozitës ngritën tullë pas tulle, gur pas guri murin e bllokimit, u zotuan se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit, një akt i paprecedentë në historinë e parlamenteve të vendeve demokratike”, tha Berisha. Kryeministri Berisha u zotua se do ta çojë çështjen në referendum popullor. “Besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi, socialistët e thjeshtë, demokratët dhe përfaqësuesit e LSI, të gjithë do votojnë së bashku heqjen e murit të turpit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit”, tha ai. Tanimë pritet që shumica parlamentare të përgatisë kërkesën për referendum dhe pas mbledhjes së firmave ta depozitojë atë ligjërisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e më tutje të shprehet Gjykata Kushtetuese për t’i lënë rrugën e lirë Kreut të Shtetit për caktimin e datës së votimit.  

Advertisement