Tiranë | Kryeministri Berisha: zgjedhja e Presidentit do respektojë Kushtetutën

alt

Pas takimit me Komisionerin për Zgjerim të BE, Stefan Fyle, Kryeministri theksoi se “në takim diskutuam gjerësisht problematikën e integrimit të vendit në BE, problematikën lidhur me statusin në BE. Ky ishte një rast i shkëlqyer për t’i shprehur vlerësimet e mia më të përzemërta z. Fyle, bashkëpunëtorëve të tij në Bruksel, Saninnos e Sequit, për ndihmën shumë të çmuar që kanë dhënë në këtë proces, i cili pas marrëveshjes së nëntorit mes forcave politike, ka marrë vlerësim të veçantë. 12 prioritetet kanë qenë përparësia më madhore në të gjitha institucionet e vendit. Integrimi është një proces që bazohet mbi merita, ta dëshmojmë, të realizojmë reformat, besoj se kemi kapacitetet për të plotësuar 12 rekomandimet”, tha Berisha. Kryeministri Berisha tha se “Diskutuam për problematikën dhe axhendën e ngjeshur të përmbushjes së 12 prioriteteve si edhe për zgjedhjen e presidentit të ri. Sigurova Fylen se e konsideroj këtë një proces, domosdoshmërisht që do kalojë me negociata, një proces që do respektojë plotësisht Kushtetutën. Ne do angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë ka, por procesi real fillon kur e thotë Kushtetuta. Diskutuam për përpjekjet që duhen bërë që fryma e bashkëpunimit të konsolidohet, që palët të vlerësojnë njëri–tjetrin si bashkëaksionerë në këtë proces themelor për vendin”, u shpreh Berisha. Në lidhje me mundësinë për t’u ulur në tryezë me kreun e PS-së për zgjedhjen e Presidentit, Berisha u shpreh se “e vlerësoj ftesën e z.Rama. Theksoj se Kushtetuta përcakton afatin se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë, edhe z. Rama, për hir të respektit të postit të Presidentit, duhet ta respektojmë”.

Advertisement