Duke iu referuar ngjarjes së vrasjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj në krye të detyrës, Kryeministri theksoi se, “ky ndryshim është i domosdoshëm dhe besoj dhe shpresoj se opozita do ta votojë atë”. “Të ngresh dorë kundër dhe të ekzekutosh një njeri që po kontrollon, që po bën detyrën, meriton ndëshkimin më maksimal. Ne nuk kemi ndëshkim kapital, por kemi ndëshkim përjetë. Ky nen duhet të dërgohet sa më parë në Kuvend dhe kjo është dhe mbështetja e madhe që policia e shtetit meriton”, tha Berisha. Kryeministri gjithashtu përsëriti akuzën e tij ndaj ish-Presidentit Bamir Topi dhe ish-kreut të KLD-së Kreshnik Spahiu. “Vrasësi i komisarit rezulton se ishte liruar me kërkesë të Kreshnikut të KLD-së, të Topit dhe faqeziut të tij. Pse e liroi? I duhej për të mbajtur banditët. Ndaj dhe vinin gjykatësit në presion, ose i shpërblenin me emërime. Kam besim të plotë tek drejtësia, ndiqeni këtë rast, mos u përbaltni, prokurori ka qëndruar, ka treguar ndërgjegje personale dhe nuk ka kërkuar eskortë, ka patur ligjin si mburojë, por hanxharët e KLD-së urdhëruan moszbardhjen e vendimit. Janë tre fëmijë që humbën babain e tyre, efektivat komisarin më të ndeshëm, më të vendosur, sepse bajlozët e krimit në pushtet duhet të rekrutonin veasësin. Por unë ju them se beteja me krimin është e pashmangshme”, tha Kryeministri Berisha.