Kjo është vizita e parë e kryeministrit Berisha në Vatikan që nga marrja e postit të kryeministrit dhe prej saj, madje ai ka marrë edhe vendimin për shtyrjen e Kongresit të pritshëm të Partisë Demokratike në këtë datë. Ndërkaq, vajtjen e tij në Romë e ka kundërshtuar para pak ditësh kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, i cili madje ka nisur edhe një letër drejt Selisë së Shenjtë me akuzat se ai persekuton katolikët në Shqipëri, ndaj nuk meriton ta vizitojë atë. Por vizita e Berishës atje përkon edhe me atë të zhvilluar pak ditë më parë në Vatikan të një delegacioni të Kishës Ortodokse Shqiptare, kryesuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili zhvilloi një takim me Papën Benedikti XVI në të cilin theksuan nevojën e vëllazërisë mes komunitetit katolik dhe atij ortodoks në vendin tonë. Vizita e Berishës në Vatikan mësohet se do të jetë vetëm një ditore dhe se sot në mbrëmje ai do të kthehet sërish në Tiranë.


