Tiranë – Kryeministri Berisha uron Krishtlindjet

Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë ka deklaruar se këtë vit Krishtlindjet i gjejnë shqiptarët të lirë dhe ka uruar që vitin e ardhshëm t’i gjejnë edhe më mirë. “Kjo ditë i bashkon njerëzit. Uroj popullin shqiptar që të festojë Krishtlindjet sa më mirë. Vjet i festuam si anëtarë të NATO-s, sivjet si qytetarë të lirë që lëvizin në mbarë Evropën. Jam i bindur se Krishtlindje më të mira do të na gjejnë”, është shprehur Berisha. Një mesazh të vecantë kryeministri u ka dërguar banorëve të Shkodrës, të cilët për shkak të përmbytjeve do t’i kalojnë festat në kushte të vështira. Duke theksuar se nga përmbytjet nuk pati asnjë humbje jete, Berisha u ka garantuar banorëve të qarkut verior mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij. “Një mesazh kam për banorët e Shkodrës, të cilët kremtojnë këtë ditë të madhe në rrethana shumë të vështira. Por sërish ata, ashtu si gjithë shqiptarët, kanë një motiv për të festuar Krishtlindjet, pasi nuk kemi pasur asnjë jetë të humbur. Ka një solidarizim vllazëror nga mbarë shqiptarët dhe nga gjithë bota. I garantoj se qeveria do të vazhdoj t’i mbështesë ata. Gëzuar!”, ka deklaruar Berisha.

Advertisement