Kryeministri tha se gjatë kësaj fushate janë regjistruar disa incidente të papranueshme, porse masiviteti i qytetarëve gjatë mitingjeve ka dëshmuar se edhe në zgjedhjet e 8 Majit qytetarët shqiptarë do të hedhin votën masivisht për qeverisjet vendore në bashkitë e komunat e vendit. Kryeministri Berisha iu referua ditës së Europës, 9 Majit, kur i cilësoi zgjedhjet si një festë që shënohet në ditën e Europës dhe si e tillë, një proces i ndershëm është nderimi më i madh që qytetarët për këtë ditë mund të dëshmojnë. Në vigjilje të zgjedhjeve, duke iu referuar parregullsive në komisionet e votimit, kryeministri Berisha pati një mesazh të veçantë për komisionerët që të respektojnë ligjin dhe integritetin e votës pa asnjë ndikim partiak, pasi siç tha kryeministri vota e 8 Majit është në duart e tyre. “Së pari i siguroj ata se pavarësisht nga forca politike, janë ata që në datën 8 Maj shndërrohen në vendimmarrësit më kryesorë. Janë ata që në datën 8 Maj shndërrohen në kujdestarët e votës së qytetarëve shqiptarë, kanë ata procesin zgjedhor në duart e tyre”, tha kryeministri. Në këtë kontekst shefi i qeverisë u bëri thirrje komisionerëve të jenë rojtarë të votës duke u dhënë dorazi një ndihmesë të madhe qytetarëve, vendit dhe forcës politike që përfaqësojnë. Kryeministri ripërsëriti thirrjen për komisionerët dhe vëzhguesit e qendrave të numërimit që të zbatojnë ligjin dhe rregullat e KQZ-së. Sipas zotit Berisha procesi zgjedhor në 8 Maj është në duart e komisionerëve dhe u përket atyre të respektojnë çdo qytetar dhe çdo votë, duke iu përmbajtur ligjit zgjedhor, e duke dëshmuar dorazi një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Berisha i ftoi të gjitha forcat politike që në trajnimet që u bëjnë komisionerëve të përfshijnë të gjitha rekomandimet e ODHIR-it që kanë të bëjnë me komisionet. Këtu kryeministri përmendi edhe vendosjen e votimit elektronik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 Qershorit të vitit 2009, numërim i cili sikundër tha shefi i qeverisë bëri që zgjedhjet të çertifikohen, dhe që rezultati i tyre të rezultonte në gabimin më të vogël njerëzor. Ky sistem tha kryeministri po del gjithnjë e më shumë në pah si sistemi më i saktë për numërimin e votave.


