Tiranë | Kryeministri Berisha: Tirana ka një epërsi të jashtëzakonshme mjedisore

alt

Berisha i konsideroi projektet e 7 studiove pjesëmarrëse në këtë konkurs si projektet për Tiranën e shekullit të 21-të. “Kjo është një ngjarje e madhe për qytetarët e Tiranës, për mbarë shqiptarët, të cilët presin me padurim Tiranën e këtij shekulli, në funksion të qytetarit, si një metropol i ri europian, i cili të mund të harmonizojë në mënyrën më të shkëlqyer të gjithë potencialet e saj, të vazhdojë të luajë rolin kryesor në zhvillimin e vendit”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, Tirana ka një epërsi të jashtëzakonshme mjedisore. “Ata që ndalen dhe studiojnë pozicionin e këtij qyteti, do të gjejnë se është një nga pozicionet më unike që mund të shihni jo në rajon, por dhe në kontinent dhe më gjërë”. Kryeministri shprehu besimin se kemi të bëjmë me një fillim të ri historik për qytetin. “Qyteti ka shprehur dhe shpreh gjithnjë e më shumë se çdo gjë tjetër kohën dhe sistemet. Këto që trashëgojmë ne sot, me të cilat edhe mburremi se qëndrojnë, i përkasin kohërave të themelimit të Tiranës, të ndërtuar nga arkitektët dhe urbanistët më të shquar të kohës. Më vonë qyteti ra në një fatkeqësi, në të cilën ishte e vështirë të dalloje atë që ndodhte në rrugët e saj, me atë që ndodhte në rrugët e Ulan Batorit”. Ndërkohë, Kryeministri Berisha shigjetoi edhe ish- kreun e bashkisë, Edi Rama duke theksuar se “Tirana ka humbur disa vite, jo për faj të qytetarëve të saj, po para së gjithash për mungesën e vizionit të parardhësit tuaj zoti kryetar”. Kreu i Ekzekutivit siguroi se qeveria do të mbështesë fuqishëm bashkinë në projektet e saj ambicioze, por, shtoi Berisha, “Qeveria do të mbështeste pavarësisht ngjyrave partiake, çdo kryetar, për t’i dhënë Tiranës mundësinë për të zhvilluar të gjitha potencialet e saj, për t’i dhënë tregut të kryeqytetit, energjinë, dinamizmin që meriton”. “Parardhës yt ishte një piktor i dështuar, jo se nuk i shiteshin veprat, por se nuk kuptonte se njerëzit nuk kanë nevojë vetëm të shohin, por edhe të ecin, të kalojnë në rrugë, kjo është urbanistika, dimensioni që ju i jepni Tiranës, me projektet që do zgjidhni”, iu drejtua Kryeministri Berisha kryebashkiakut Basha. “Le ta konsiderojmë një fillim të ri të madh, premtues për Tiranën metropol europian”, tha Kryeministri, duke shtuar se “duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të kenë sa më shumë vende që duan në këtë qytet, që të huajt të kenë sa më shumë gjera për të vlerësuar në këtë qytet”.

Advertisement