Shefi i ekzekutivit e ka bërë këtë deklaratë në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor të Partisë Demokratike. “Do marr inisiativën për të ftuar forcat politike ditën e premte në orën 11:00 për të nisur reformën elektorale”, deklaroi përballë deputetëve demokratë, kryeministri Berisha. Kryeministri ka akuzuar ndërkohë opozitën se nuk ka marrë parasysh ofertën e mazhorancës për reformën zgjedhore, duke refuzuar krejtësisht këtë ofertë të cilën kryeministri e ka quajtur të pashembullt. “Dua tu informoj të gjithëve se Partia Socialiste ka marrë që në Shtator ofertën më të pashembullt në historinë e pluralizmit, që ajo të hartojë vetë të gjitha amendamentet që dëshiron sipas udhëzimeve OSBE-ODHIR-it, dhe ne t’ia votojmë ato”, theksoi shefi i qeverisë. Ai bëri me dije se “PS-së i është propozuar nga mazhoranca që të fillojmë punën me komisionin, dhe të paraqesin të gjitha amendamentet të përgatitura edhe nga vetë socialistët si grup parlamentar, të marrin vendimin e Komisionit të Venecias ose OSBE-së e ne t’ia votojmë”, tha kryeministri Berisha. Sipas kryeministrit, kjo ofertë ka gjetur refuzimin konstant të udhëheqjes socialiste. Sipas kryeministrit kuadri ekzistues ligjor që lidhet me zgjedhjet ka qenë në përputhje me kërkesat e OSBE-ODHIR-it, dhe përbën një bazë teknike të gjerë për zgjedhjet demokratike. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu angazhimin e mazhorancës për të nisur punën për reformën zgjedhore duke bërë me dije se socialistët janë të mirëpritur në këtë proces të rëndësishëm duke propozuar amendamentet e saj. “Dëshiroj që zoti Rama të mos emërojë grupin e vet të marrë pjesë në këtë proces, sepse refuzimi i këtij procesi duket sikur të jep dicka në dorë, por do të jetë e kundërta, ndaj unë gjykoj se ne duhet të udhëhiqemi vetëm nga respekti ndaj qytetarëve për të ecur drejt integrimit të Shqipërisë”, pohoi kryeministri.