Tiranë | Kryeministri Berisha: të djathtët do hyjnë në fushatë me energji të ripërtëritura

BERISHA-GRUPI-PD

“Vendosmëria për heqjen e imunitetit nuk ka të bëjë me përpjekjen tonë për të krijuar kapital politik, nëpërmjet këtij akti. Ky i intereson gjithë shqiptarëve. Ne nuk kemi kushtëzuar heqjen e imunitetit me rrugën që zgjedhim për heqjen e tij. Nëse ne ju drejtuam sovranit kjo erdhi pasi Rama e refuzoi më 6 gusht, ata shprehen tani se do votojnë pavarësisht propozimeve të tjera. Unë e mirëpres këtë vendim të PS-së. Meqenëse shtatori është një afat kritik për vlerësimin e arritjeve të Shqipërisë do t’ju lutesha të bëjmë gjithçka për të afruar datën e votimit në parlament të heqjes së imunitetit”, tha Berisha. Për kreun e qeverisë, shqiptarët sot pretendojnë të marrin statusin dhe në të kundërt, nëse nuk votohet heqja e imunitetit, atëherë, siç tha ai kombet e tjera kanë të drejtë të tremben nga ne. “Në rast se do munden, që kjo procedurë të kompletohet brenda afatit kohor, ky do ishte lajmi më i mirë qe mund t’i dërgonim partnerëve tanë në Evropë dhe botë. Sot që pretendojmë të marrim statusin, në rast se nuk heqim imunitetin, mendoj se kombet e tjera kanë arsye të tremben nga ne. Sepse në të gjithë problematikën e zgjerimit të BE, lufta ndaj korrupsionit është ndër më madhoret, jo në çdo vend në të njëjtin nivel, por nëse nuk heqim imunitetin, ky mbetet mesazhi më negativ”, theksoi Berisha. Duke iu drejtuar edhe njëherë opozitës, kryeministri Berisha tha, “Të paktën për datat të mos mbetet pa u votuar imuniteti në muajin shtator. Në rast se votohet është një arritje e madhe e Shqipërisë, e shoqërisë e Kushtetutës së Shqipërisë”, shtoi ai, ndërsa bëri të qartë, se nëse opozita nuk e voton, mbetet i hapur opsioni tjetër i maxhorancës, që është referendumi. “Opsioni ynë tjetër mbetet plotësisht i mundshëm dhe nuk tërhiqemi në përpjekjen tonë”, tha kryeministri ndër të tjera. Kryeministri e ndali vëmendjen e tij tek fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke siguruar se të djathtët do hyjnë në garë me energji të ripërtëritura. “Energjitë e ripërtërira të kësaj here do të jenë energji të fuqishme të fushatës së ardhshme elektoral. Ne do zhvillojmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën e të gjitha fushatave që kemi zhvilluar deri më sot”, tha ai. Duke iu drejtuar anëtarëve të grupit parlamentar, Berisha tregoi se forca më e madhe politike në vend, ka nisur tashmë parapërgatitjet për fushatën e ardhshme zgjedhore. “Në të gjitha zonat tuaja elektorale, kudo që shkoni gjeni projekte të realizuara apo në realizim e sipër, të këtij mandati që është mandati i transformimit. Kjo ishte hyrja për të treguar parapërgatitjet për betejën e ardhshme elektorale”, tha Berisha.