Tiranë – Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Senatit kanadez Kinsella

Gjatë takimit, Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është shumë e vendosur për të forcuar dhe për të çuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Kryetari i Senatit Kanadez, shprehu vlerësimin e tij për politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të mbështesë investimet e investitorëve kanadezë që ato të jenë një histori suksesi. Më tej Berisha theksoi se projekti i dytë madhor për shqiptarët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe se qeveria shqiptare po punon për të implementuar të gjitha standardet dhe reformat në këtë drejtim. Kinsella u shpreh se Kanadaja është e gatshme të ndihmojë në të gjithë ata sektorë që bëjnë pjesë në procesin e integrimit evropian. Sipas kryeministrit Berisha qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha masat për krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Në këtë drejtim ai kërkoi që Kinsella të inkurajojë investimet kanadeze në Shqipëri në të gjitha fushat, ku Shqipëria ka potenciale të mëdha, si në energji, turizëm, shfrytëzimin e pasurive minerale, arsim, kërkim shkencor etj. Kinsella u shpreh se kjo vizitë do të jetë një kontribut në forcimin dhe thellimin e dialogut dhe lidhjeve mes dy vendeve. “Ne do të japim të gjithë kontributin tonë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në çdo fushë” tha Kinsella.

Advertisement