Eurodeputetët rikonfirmuan shpresën e tyre se edhe Këshilli Europian do të japë së shpejti konsensusin e tij, duke e shndërruar në realitet ëndrrën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në hapësirën evropiane, gjatë votimit të hënën e ardhshme më 8 nëntor. Kryeministri Berisha u shprehu europarlamentarëve mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme e miqësore që ata i kanë dhënë qeverisë shqiptare, Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për t’u përafruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian dhe për heqjen e vizave, duke e vlerësuar si ngjarje historike votimin nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Shefi i qeverisë i siguroi eurodeputetët se qeveria shqiptare do të bëjë çdo hap drejt integrimit europian, që sikundër tha ai duhet të jetë tërësisht i bazuar në performancë e meritë. Europarlamentarët vlerësuan punën e madhe dhe reformat e thella që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë bërë të mundur edhe këto arritje të rëndësishme. Ata u ndalën veçanërisht në vlerësimin për hartimin, përpilimin dhe prezantimin para Komisionit Europian të përgjigjeve të pyetësorit dhe theksuan se cilido qoftë opinioni i Komisionit në këtë pikë, ai duhet parë si një inkurajim për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, por edhe për reformat e ardhshme integruese. Europarlamentarët vlerësuan gjithashtu infrastrukturat e rëndësishme të realizuara gjatë kësaj periudhe, si rruga e kombit Durrës-Kukës, çka mundëson lidhjen me Kosovën e rajonin në një kohë shumë të shkurtër dhe uruan që edhe në qytetet e mëdha të vendit si Tirana apo qytete të tjera të kenë mundësinë të shohin infrastruktura të kësaj cilësie, në të ardhshme. Ata vlerësuan kontributin e Shqipërisë në shërbim të konsolidimit të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon, si dhe rolin konstruktiv të moderuar e të rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vijon të luajë për thellimin e këtij bashkëpunimi. Gjatë takimit, kryeministri Berisha bëri një prezantim të reformave të bëra gjatë kësaj periudhe, ku ai u ndal në reformat për luftën kundër krimit, korrupsionit, zhvillimit ekonomik, reformave në fushën e arsimit, shëndetësisë, privatizimeve, për transparencë, thjeshtësim dhe modernizim të procedurave për një qeverisje më të mirë, në kuadër të promovimit të Shqipërisë në moshën dixhitale, krijimit të klimës së përshtatshme për biznes e investime. Shefi i ekzekutivit, theksoi arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, që kanë çuar në reduktimin e ndjeshëm të korrupsionit dhe në dyfishimin në 5 vjet të të ardhurave fiskale e doganore, si prokurimet 100 përqind elektronike, eliminimi i lejeve dhe licencave, shtrirja gjithnjë e më tepër e procedurave ‘one stop shop’ dhe dixhitale etj. Po ashtu, kryeministri theksoi faktin se Shqipëria është një vend i sigurt dhe treguesit e kriminalitetit janë më të ulëtat, se mesatarja e vendeve të BE-së. Në takim, sikundër bënë të ditur zyra e shtypit e qeverisë mësohet të jetë diskutuar edhe mbi situatën politike në vend, ku u vlerësua oferta e mazhorancës për hetimin e të gjitha çështjeve nga Komisioni parlamentar, përveçse atyre për të cilat ka vendim të gjykatave, si dhe gatishmërinë e mazhorancës për të votuar amendamentet që opozita do të sugjerojë për kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme, me kushtin që ato të jenë konsultuar paraprakisht me institucionet e OSBE/ODIHIR.