Shefi i qeverisë theksoi se “sulmi qe bën shoku Rama, pasi kur del me platforma marksiste vetëm shoku mund t’i thuash, është i tëri i motivuar nga ndjenja personale dhe inate personale. Çfarë fakton statistika, në Shqipëri 40% e vendeve të punës janë të krijuara nga 1% e bizneseve. Hajd o burra tu biem me topin marksist këtyre, që të shkatërrojmë me qindra dhe mijëra vende pune, kurrë nuk do të bëhet. Kalon nga marrëzia në marrëzi.” Më tej kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e programit ekonomik të qeverisë për vitet vitet 2012–2014, në rast se shqiptarët rikonfirmojnë votën e tyre për këtë qeveri në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Berishës, programi bazohet në rritjen e të ardhurave për Shqiptarët, uljen e papunësisë dhe optimalizim të plotë të treguesve makroekonomike. “Le t’i lëmë zotit Rama modelin marksist të taksimit dhe të vazhdojmë me modelin e lirisë, modelin liberal, që e bëri Shqipërinë një model ekonomik të qëndrueshëm.” deklaroi kryeministri. Ndër të tjera, Berisha theksoi se qeveria është e vendosur që menaxhimin e ekonomisë shqiptare t’ia besojë tërësisht sektorit privat. “Sektori privat ka efiçencë disa herë më të madhe se sektori publik dhe nuk mund të ketë asnjë lloj hezitimi për shtrirjen e privatizimit. Ne nuk do të bëjmë atë që bënë të majtët. Ata e privatizuan Bankën e Kursimeve sepse i dha ultimatum FMN. Ne do bëjmë gjithçka për privatizimin e burimeve në vend, energji apo pyje”, tha Berisha. Ndërkohë, kryeministri foli edhe për suksesin e programit “Brain Gain” në lidhje me thithjen e trurit në vend, por theksoi rëndësinë që ky program të ridimensionohet. “Programi “Brain Gain” funksionoi dhe është shumë e rëndësishme, por tani është e domosdoshme që ky program të njohë një dimensioni të ri. Nëpërmjet këtij programi të kontribuojmë për Shqipërinë.”- tha kryeministri.