Tiranë | Kryeministri Berisha: shtetësi shqiptare për të huajt që investojnë mbi 100 mijë euro

berisha-mbledhje-qeverie-

Kryeministri e cilësoi shqyrtimin e këtij ligji si një çështje me rëndësi duke lajmëruar se ligji duhet të përcaktojë detyrime të reja, që rrjedhin edhe nga marrëveshja për heqjen e vizave. Sakaq shefi i qeverisë theksoi se duhet t’u jepet shtetësia shqiptare të gjithë atyre personave të huaj, që investojnë në Shqipëri më shumë se 100 mijë euro. “Ligji për shtetësinë duhet të rishqyrtohet dhe të përcaktojë disa standarde të reja duke ruajtur të gjitha detyrimet, që rrjedhin nga marrëveshja me BE-në për heqjen e vizave. Shqipëria duhet t’u japë të gjithë atyre shtetasve të huaj që kanë apo që investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj . Është një masë që u jep një shkallë më të madhe sigurie atyre që vijojnë projekte në këtë vend, që duan të blejnë vila për të kaluar kohë, apo pushime në Shqipëri. Ligji duhet të përfshijë dekretin për shtetësinë, i miratuar nga Presidenti në vitet 1994, duhet ta inkorporojmë dhe përpunojmë. Ligji duhet të përcaktojë kushtet, në të cilat ata që kanë investuar 100 mijë euro marrin shtetësinë shqiptare”, deklaroi kryeministri. Sipas tij, shtetësinë shqiptare në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e heqjes së vizave duhet ta marrin edhe të gjithë qytetarët shqiptarë me origjinë shqiptare, duke nënkuptuar këtu shtetasit shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo edhe Diaspora. “Duhet të ridimensionojmë qëndrimin dhe ta riorientojmë këtë masë drejt investimeve, nxitjes së investimeve. Dëshira për të investuar në Shqipëri dhe për të patur shtetësinë shqiptare është reale. Shumë biznesmenë ma kanë kërkuar mua, por tani duhet t’u jepet me ligj”, u shpreh kryeministri Berisha.

Advertisement