Kreu i qeverisë tha se falë fondeve të këtij projekti Shqipëria renditet ndër vendet kryesore për procedurat e regjistrimit të biznesit. “Këto projekte ndryshuan në mënyrë thelbësore jetën dhe zhvillimet ekonomike në këtë vend. Ideja kryesore e Sfidës së Mijëvjeçarit ishte lufta kundër korrupsionit. Ne ramë dakord që ky fond të adresohej në fushat ku korrupsioni kishte problemet më të mëdha. Sot jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur këto projekte”, tha Berisha. Ai u shpreh se janë kursyer miliona dollarë që shkonin në mënyrë abuzive në xhepat e zyrtarëve. “Shqipëria vjen në këtë stad, e 9-ta në botë për procedurën e regjistrimit të biznesit, nga disa muaj, sot e regjistron në brenda gjysëm orë me një euro. Shqipëria me projektin tjetër të prokurorimit publik, nga një vend që 70% të prokurorimeve që i kishte direkte pa asnjë procedurë, u shndërrua në një vend me prokurorime 100% elektronike”, tha Berisha. Ai u shpreh se falë këtij fondi është ngritur dhe task-forca kundër korrupsionit. “Në këtë sistem reformat janë perpetum mobile, pra nga reformat vijmë, në reformat shkojmë. Janë një seri projektesh të tjera të cilat presin”, tha Berisha. Ndër të tjera gjatë kësaj konference kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se është i hapur për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit. Berisha ka theksuar se është i hapur për çdo variant që lidhet me heqjen e imunitetit, duke e vlerësuar këtë hap si të domosdoshëm për luftën ndaj korrupsionit. “Ftoj opozitën që të punojmë aty ku bashkohemi, sepse është normale që mes mazhorancës dhe opozitës të ketë opsione të ndryshme. Më erdhi mirë që në një seminar, opinioni për heqjen e imunitetit, u mbështet nga ekspertë ndërkombëtarë edhe ndryshimin e Kushtetutës. Garantojmë opozitën se jam i gatshëm për secilën nga dy variantet për të hequr imunitetin tonë, duke dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë, mbi bazën e parimit të madh; barazia para ligjit”, tha Berisha. Ai u shpreh se dialogu duhet të nis pa kushtëzime nga palët, me synimin për të bërë reformat e duhura. “Nëse i lëmë kushtëzimet mund të japim fytet e para për të sotmen dhe të ardhmen dhe vendit. Lufta ndaj korrupsionit është kushti themelor për zbatimin e reformave”, tha Berisha.


