Tiranë | Kryeministri Berisha: Rama të kërkojë falje për deklaratat ndaj infermierëve

Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje Kryetarit të PS-së Edi Rama, që t’i kërkojë falje publikisht infermierëve, pasi me deklaratat e tij ka hedhur baltë mbi këtë profesion të vështirë. Berisha tha se, “të lëshosh fjalë të pakontrolluara në adresë së infermierëve është shumë e papranueshme”. “Nuk kisha dëgjuar kurrë ndonjëherë deklarata të tilla në adresë të këtij profesioni. Spitalet kanë të metat dhe dobësitë e tyre, por pikërisht në ato spitale shpëtohen jetë”, tha Berisha. Sipas kryeministrit “me deklaratat e tij Edi Rama ka kaluar çdo lloj kufiri elektoral”. “Punonjësit janë pasuri shtetërore kombëtare nuk janë grupe militantësh, ndaj mendoj se duhet të kemi një qëndrim të kujdesshëm ndaj tyre, aq më tepër me ato fjalë shumë të rënda që janë abuzim i papranueshëm”, tha Berisha. Kryeministri Sali Berisha ndër të tjera kërkoi në mbledhjen e qeverisë përgjysmimin e taksave për makinat e përdorura. “Kam shqyrtuar të gjitha taksat e vendeve të tjera dhe nuk kam gjetur një pabarazi të tillë as në vendet e BE-së dhe as në vendet e tjera. Ndaj dhe taksat e makinave të përdoruara do të përgjysmohen”, tha Berisha. Sipas tij, mbajtja në një nivel të lartë i taksave të makinave të përdorura me argumentin se mbrohet mjedisi nuk qëndron, pasi në fakt mjedisi mbrohet me masat që kemi marë për heqjen nga tregu të karburantit D2″. Kryeministri Sali Berisha vlerësoi edhe ligjin për rritjen e rrogave të gjyqtarëve, ndërsa kërkoi që pjesë e këtij ligji të jenë edhe prokurorët. Kryeministri deklaroi se “politika që ka ndjekur deri tani qeveria për rritjen deri në mbidyfishim të rrogave të ulta dhe të mesme dhe rritjen me 2 për qind të rrogave të larta, është një politikë që ka ngushtuar diferencën mes pagës së kryeministrit apo ministrit dhe pagës mesatare, e cila ishte 9.5 herë dhe ka zbritur në 4.5 herë, një diferencë kjo që ekziston edhe në vendet e lira”. Gjithashtu, kryeministri informoi se do të bëhet një ndërhyrje nga ministria e Financave në ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. “Ligji përcakton një kontribut të caktuar si në çdo vend tjetër të botës për punonjësit dhe të punësuarit dhe garanton sigurimin e plotë shëndetësor për të gjithë ata që janë të papunë, me ndihmë ekonomike, pensionistët, studentët dhe qytetarët me moshë deri në 18 vjeç”, tha Berisha. Një tjetër ligj i miratuar sot në mbledhjen e qeverisë është edhe ligji “Tokë për shkollë”, i cili sipas Berishës, i jep një shtysë tjetër zhvillimit të arsimit në tërësi dhe përparimit të infrastrukturës logjistike.

Advertisement