Tiranë | Kryeministri Berisha: Rama të heqë dorë nga bllokimi

Duke shprehur vlerësimin e palëkundur tek ekipi shqiptar që trajton procesin dhe tek Patton & Box, gjigand botëror i konsultës në këtë fushë, Kryeministri theksoi se “mund t’u them se ecuria e këtij procesi po vijon sipas të gjitha etapave të përcaktuara nga konsulenti që shqyrton së bashku me ekipin procesin”. Kryeministri Berisha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, se duke sulmuar qeverinë për privatizimet po kthehet në kohën e komunizmit. “Reagimi i Ramës bazohet kryekëput në qëndrimin atavist në trashëgiminë e tij anti-treg dhe në mbajtjen e një prej koncepteve të vjetra për koncesionet dhe investimet”, tha kreu i qeverisë. Sipas Kryeministrit, “të pretendosh se po shitet Shqipëria, kur po jepet me tender e drejta e koncesionit, do të thotë të kthehesh te Enveri, sepse kjo e drejtë e njohur edhe nga qeveria e parë e Ismaili Qemalit, është njohur dhe përshtatur nga çdo qeveri e këtij vendi”. “Dhënia me koncesion dhe drejta e koncesionit është një nga aktet e qeverisë së Ismail Qemalit, ka vazhduar nga mbreti Zog dhe është përjashtuar totalisht nga diktatori paranojak”, tha kreu i PD-së. Duke folur për ligjin për Gjykatën e Lartë, kryeministri Sali Berisha i bëri apel opozitës që të mos mbajë peng integrimin, por të miratojë në Kuvend ligjet që janë kusht për marrjen e statusit kandidat. Kryeministri Berisha rikujtoi se “mazhoranca ka qenë e hapur për të gjitha propozimet e opozitës”. “Përmes vënies së kushteve Rama kërkon të vijë në pushtet përmes pazareve. Ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy forcave parlamentare, përfshirë këtu dhe reformën parlamentare, marrëveshje e cila, ndryshe nga mazhoranca, e cila e ka respektuar pikë për pikë atë, opozita nuk i referohet asaj”, u shpreh Berisha. “E ftoj zotin Rama të heqë dorë nga bllokimi. Ligji për Gjykatën e Lartë është kërkuar me insistim nga Partia Socialiste. Ajo nuk votonte Gjykatën Administrative nëse ne nuk pranonim ngritjen e kolegjit në Gjykatën e Lartë. Tani që ne e pranuam, ai bllokon. Ai ligj nuk është për gjyqtarët, por për qytetarët, dhe ti bllokon interesat e të gjithë qytetarëve”, theksoi Berisha. Kryeministri Sali Berisha ironizoi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike edhe mbi ekspozitën e çelur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në Parlamentin Europian, në Bruksel, lidhur me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “E përgëzoj Ramën për suksesin e ekspozitës. Dua ta falenderoj që paraqiti hartat e Artan Lames dhe jo pikturat e tij se do të na kishte turpëruar. Bëri një gjetje të goditur dhe meriton të lavdërohet sepse arriti të dominojë ambiciet e tij”, tha Kryeministri Berisha.