Tiranë | Kryeministri Berisha: Rama mbledh vota me kortezhe mortore

BERISHA-GRUPI-PD

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentartë PD-së, kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se fitorja e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit është plotësisht e merituar. “Fitore e merituar sepse në reformat e shqyrtuara, të votuara në këtë parlament u bë e mundur që Shqipëria në kohën më të vështirë të ekonomisë europiane dhe botërore të qëndrojë si një ishull rritjeje ekonomike. Si një ishull punësimi të vazhdueshën. Si një ishull që nuk ra në recesion”. “Këto janë të vërteta tona të mëdha”, vijoi Kryeministri, “kjo bëri të mundur vendosjen e Shqipërisë në vendin e 4-t në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqënie për qytetarët. Sipas Kryeministrit pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar marrjen e statusit, Komisoni Europian rekomandoi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. “Reformat bënë të mundur që me gjithë përpjekjet më absurd, më destruktive të opozitës, Shqipëria të rekomandohet nga KE për statusin e vendit kandidat, por që në emër të testamentit të etërve, neo-bllokmentët po bllokojnë me votat e tyre në Kuvend”, tha Berisha. Kryeministri Berisha foli gjithashtu lidhur me protestën e 21 janarit duke deklaruar se, “qeveria do të bëjë gjithçka që e vërteta të dalë dhe drejtësia të veprojë”. “Në 21 janarin e dy vjetëve më parë, pas 80 e ca vitesh, një grusht aventurierësh bënë përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin e dalë me votë . Ky ishte akti më i shëmtuar që nga viti ’24 deri në ditët e sotme ndaj institucioneve shtetërore”, theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh se, “ata që menduan se me dhunë do të mund të kishin mandatin e tyre përfunduan në koshin ku e kanë vendin të gjithë ata që mendojnë si ata”. “Duke shprehur edhe njëherë ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, i kërkoj Edi Ramës të ndërpresë çdo formë presioni ndaj drejtësisë sikundër garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjtihçka që e vërteta të dalë, që drejtësia të veprojë, por deri sot asnjë prej atyre që organizoi, pagoi, mashtroi njerëz të hurit e të litarit që erdhën për të përmbysur pushtetin me dhunë dhe krijuan viktima para ndërtesës së Këshillit të Ministrave vetëm e vetëm se zoti Rama donte të mbante fjalim në ballkonin e zyrës sime nuk është ndëshkuar”, theksoi Berisha. Ai shtoi se Rama tani po përpiqet të mbledhë vota me kortezhe mortore për të cilat ai ka përgjegjësi maksimale.

Advertisement