Tiranë | Kryeministri Berisha: Rama kërkon të përçajë ish të përndjekurit

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka ururar 4 ministrat e rinj të kabinetit duke vlerësuar kontributin e secilit në fushat e tyre. Nga ana tjetër kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se po tenton të përçajë ish të përndjekurit politik. “Rama tha se Spaçi ka qenë një pasuri e madhe, Spaçi ka qenë një ferr. Për etërit e Ramës natyrisht që ishte pasuri, por për ata që e vuanin ishte një ferr. Teoria e Ramës për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, duke u bërë proceset gjyqësore, është zbatim i doktrinës së etërve të tyre, që nuk do të ndodhë kurrë. Zoti Rama duhet ta dijë se ka ligje ky vend, ky do të rikthehet në kohën e Ramiz Alisë, nuk mund të rikthehet më. Rama le të vazhdojë këto përçarje edhe pak kohë, se e vërteta është se ora po afron. Dita po afron dhe energjitë po i shohim. Këto janë punët e tij dhe unë çështjet i kam me zgjedhësit” tha Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria do shqyrtojë ligjin për përjashtimin e tokës bujqësore nga taksa 10%. “Kjo bëhet në mënyrë që të hapet mundësia e tregut të tokës, që ky treg të jetë sa më i lirë. Gjithashtu bëhet edhe në përgjigje të kërkesës së fermerëve, që janë të vendosur të zmadhojnë fermat e tyre, të rrisin punësimin” tha kryeministri. Ndërkohë kryeministri kërkoi në mbledhjen e sotme të qeverisë shtyrjen e afatit të përdorimit të letrave me vlerë deri në gjysmën e mandatit të ardhshëm duke theksuar se ky vendim është një detyrim që qeveria ka ndaj qytetarëve. Gjithashtu në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit të sjellë në qeveri vendimin për verifikimin ajror të territorit të Shqipërisë, në mënyrë që të bëhet legalizimi i ndërtimeve që kanë ndodhur pas vitit 2006.

Advertisement