Tiranë | Kryeministri Berisha: përdorimi i internetit rritet me 340%

alt

“Kur kjo forcë politike shpalli në vitin 2006 si një prej objektivave të saj madhore Shqipërinë në moshën dixhitale, kjo ishte një nga nismat që u mbulua me skepticizmin më të madh të opozitës shqiptare dhe jo vetëm. Por Shqipëria dixhitale është Shqipëria në të cilën qytetarët e saj disponojnë potencialet më të mëdha të komunikimit”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, “e drejta për komunikim është sinonim i të drejtës për të vërtetën. Rritja me 340% është rritja më marramendëse që mund të jetë regjistruar ndonjëherë dhe kjo ka ndodhur pas liçencimit të 3G nga autoritetet shqiptare, masivizimit të smart phoneve, që përfaqësojnë një kompjuter të mrekullueshëm në xhepin e çdo qytetari”. Berisha shtoi se është rritur edhe përdorimi i celularëve nga 140% në 189% .”Pasioni i shqiptarëve është shumë i lartë për komunikim. Sot asnjeri nuk ka mundësi tjetër veçse të përshëndesë këtë rritje”, theksoi Kryeministri, duke kujtuar se “në vitin 2007 kemi pasur rritjen më të madhe të përdorimit të internetit në Evropë. Në vitin 2010 kemi qenë të dytët në botë për sigurinë e rrjetit. Ndërsa në vitin 2011 përdorimi është rritur me 340%”. “Ka një problem për t’u zgjidhur, që qëndron në çmimin për internetin. Kompanitë e mëdha kanë adoptuar një qëndrim të ri për bisedat telefonike. I përgëzoj ato për këtë, por sot interneti ka një çmim më të lartë se vendet e tjera”, tha Berisha, duke shtuar se “Qeveria po merr të gjitha masat që në të katër anët e vendit shqiptarët të mund të blejnë internet me çmimin më të ulët në Europë”. “Ne i qëndrojmë asaj që premtojmë. Posta shqiptare ka hartuar një masterplan për internetin dhe ka vënë 1200 pika të tjera për internet falas, përveç 500 pikave të mëparshme. Kështu, edhe problemi i çmimit të internetit do marrë zgjidhje në kushtet e konkurrencës së drejtë të tregut”, tha Kryeministri.

Advertisement