Kryeministri Berisha theksoi në hyrje të fjalës së tij përshëndetëse se ky takim i madh i shqiptarëve mbahet në ditën kur prijësi i shqiptarëve mbylli sytë përjetë, gjashtë shekuj më parë. Shefi i qeverisë në këtë ditë të shënuar tha se nderimi më i madh i takon plakut të urtë të Vlorës, Ismail Qemalit, i cili duke kundërshtuar të tëra planet e Evropës për copëtimin e trojeve shqiptare dhe fshirjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës dhe botës, ngriti flamurin shqiptar në 28 nëntor të 1912-ës në Vlorë. Kryeministri Berisha deklaroi po ashtu se shqiptarët i detyrohen Mbretit të parë të Shqipërisë dhe shqiptarëve Ahmet Zogut, që ndërtoi e kurorëzoi të parin shtet modern shqiptar, që shqiptarët e gëzojnë edhe sot e kësaj dite. Shefi i ekzekutivit nënvizoi se Pavarësia e Shqipërisë ka qenë aspiratë e hershme e shqiptarëve, dhe për të dhanë jetën në çdo kohë shqiptarët kudo që ata jetojnë. Ai nënvizoi faktin se në themel të shpirtit shqiptar qëndron motoja një komb një qëndrim. Në këtë suazë, kryeministri duke nënkuptuar Kosovën dhe trojet shqiptare të Maqedonisë saktësoi se trungu i kombit shqiptar edhe mund të ndahet, por jo shpirti, dhe shqiptarët sipas tij, treguan se liria e tyre nuk ka çmim. Kryeministri nuk la pa kujtuar edhe udhëheqësin legjendar të Kosovës, Ibrahim Rugova, apo edhe luftën çlirimtare në Kosovë e Maqedoni. “Në Kosovë shqiptarët do të organizonin rezistencën më të përsosur që Europa ka njohur, që do të udhëhiqej nga një burrë legjendar siç ishte Presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova. Shqiptarët e Kosovës rrëmbyen armët dhe bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, duke çliruar vendin e tyre dhe duke e bërë Ballkanin më të lirë. Shqiptarët në Maqedoni organizuan pas përpjekjesh të mëdha lëvizjen guerrilje më efikase që Ballkani ka njohur”, u shpreh kryeministri. Ai rikujtoi edhe rrëzimin e regjimit diktatorial në Shqipëri në fillim të viteve ’90, kur shqiptarët gjunjëzuan regjimin e vjetër që kish vënë përfund popullin për gati 50 vjet. “Ky është një shekull i përpjekjeve tona të mëdha, i sakrificave herë herë edhe mbinjerëzore, dhe sot është rasti që të nderojmë të gjithë ata burra e gra që ngritën fuqishëm zërin tonë, aty ku ne zë nuk kishim. Të nderojmë miqtë tanë që kanë treguar një solidaritet të madh me ne, në këto dekada lirie. Por në mënyrë të veçantë dua t’i shpreh mirënjohje kombit të madh amerikan, i cili qeverisë së tij, i cili ka qenë përcaktues në momentet më kritike të ekzistencës së kombit shqiptar. Ne kemi fituar në betejat tona pasi kemi patur fatin e madh të kemi mbështetjen e kombit amerikan, që buron nga pasioni për lirinë”, deklaroi kryeministri. Ai siguroi se duhet bërë gjithçka që qytetarët shqiptarë të jenë më të lirë, më të begatë, më të sigurt, përmes projektit të madh të shqiptarëve në Europë. Më pas ceremonia hapëse për aktivitetet kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë vijoi me një program me këngë të njohura patriotike dhe pjesë koncertale.