Në këtë kontekst, vijoi Berisha, “në programin e parë të saj, qeveria që unë drejtoj, ka mbajtur dhe mban në epiqendër të përpjekjeve të saj luftën ndaj këtij faktori, që kurrë nuk mund të çrrënjoset, por siç fakton rasti i Shqipërisë, mund të luftohet me eficencë të pamohueshme”. Berisha tha se në tetë vite Shqipëria kishte marrë 38 milionë dollarë investime të huaja. “Le t’u referohemi fakteve. Ato dëshmonin se në Shqipëri 75% e të gjitha prokurimeve ishin direkte. Raporti i Bankës Botërore i vitit 2004 deklaron se në paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe në dogana zhduken në kontot e zyrave dhe evazorëve mbi 1.4 milionë dollarë në vit”, tha Berisha. Duke iu referuar fakteve Berisha tha se nuk kishte asnjë të dënuar nga drejtësia. “Kjo ishte situata se si erdhëm ne në pushtet dhe e shndërruam në kalë beteje kryesore. Për të luftuar korrupsionin në Shqipëri dhe kudo në botë ka dy drejtime themelore. Reformat gjithëpërfshirëse, që kanë synim vendimtar rritjen e transparencës dhe së dyti, penalizimin e korrupsionit. Në këtë kontekst bëmë një program ambicioz që konsistonte në zvogëlimin maksimal të mundshëm të administratës shtetërore”, theksoi Berisha. Ne, vijoi Berisha, vendosëm parimin se korrupsionin do ta luftonim nga zyra jone dhe vendosëm kritere të reja për shpenzimet operative. “Shkurtuam shpenzimet me telefona që bëheshin për biseda, për orgjira”, tha Berisha, sipas të cilit, u ndaluan prokurimet publike direkte dhe u vazhduan përpjekjet për reforma. “Me një vendim të veçantë u ndaluan të gjitha prokurimet publike direkte. U vazhduan përpjekjet për reforma”, tha Berisha. Kryeministri bëri të ditur se që nga viti 2005 deri sot nuk është votuar nga opozita ligji për heqjen e imuniteteve. “Nuk ka opozitë në botë që të dojë të mbrojë qeverinë me imunitet. Ju jeni unik. Pavarësisht nga mëkatet e shkuara nuk ka diskutim që paratë i ka qeveria. Problem është korrupsioni i administratës, por që opozita të mos votojë heqjen e imunitetit për zyrtarët, gjykatësit, në historinë e partisë suaj besoj se kjo do të vlerësohet si qëndrimi më bizarr që mund të mbahej”, iu drejtua Kryeministri deputetëve socialistë. Berisha tha se “u ndërmorën hapa për t’u zbatuar vendimet e KLSH-së, që qenë inekzistente në masën e 74% të pazbatuara. U kalua ligji i informatave për korrupsionin. Janë me dhjetra e dhjetra qytetarë që janë shpërblyer mbi këtë ligj. Ky ligj ka pasur mjaft rëndësi, pasi ky ligj inkurajon shoqërinë për denoncimin ndaj korrupsionit”. “Në transportin publik, nga 3100 vetura zyrtare, që i kushtonte secila këtij vendi 90 mijë dollarë në vit, sot janë 36 apo 37 të tilla, reformë e cila e rendit Shqipërinë në vendet më transparente në këtë fushë”, u shpreh Berisha. Duke renditur reformat e ndërmarra për luftën ndaj korrupsionit, kreu i qeverisë tha se “u kalua ligji i prokurimeve elektronike. U instalua sistemi i prokurimeve elektronike, që e bëri Shqipërinë vendin me 100% prokurime elektronike”. “A nuk është kjo një luftë kundër korrupsionit?. Po regjistrimi i biznesit. Mendoni ju se me ç’tagër i regjistronin bizneset para 2007-ës. Paguheshin 4 mijë euro dhe këto pa bakshishet, sot paguhet 1 euro. Po licencat që i kishin shndërruar si indulgjencat e dikurshme dhe ua vinin dhe ua hiqnin kur të donin. Kjo qeveri i shndërroi në vetëdeklarime 2/3 e tyre dhe për1/3 krijoi Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve”, tha Berisha. Kryeministri bëri të ditur se PS në 8 vite në pushtet nuk dha një koncesion. “Me ligjin e koncesioneve u realizuan 320 koncesione për hidrocentrale. Këtë vit kanë filluar procedurat për një prej ndërtimeve më të mëdha në Europë, Kaskadën e Devollit, për të mos përmendur të tjera nga lumenjtë e Alpeve deri në Vjosë”, tha Berisha. Por, shtoi Kryeministri, “a do mund të përballohej korrupsioni vetëm me reforma? Korrupsioni përballet me refoma dhe penalizime. Për Task Forcën e krijuar nga kjo qeveri, në bashkëpunim me qeverinë e SHBA, thuhet se “është në nderin e tyre suksesi që ajo Task Forcë shënoi. Është në turpin e tyre dështimi i saj. Atyre që hoqën njerëz me integritet, duke vendosur pezakët e tyre. Por koha nuk funksionon për ta, koha funksionon për ato gra dhe burra që janë të vendosur ta luftojnë korrupsionin”. Sot, tha Berisha, “nga ajo periudhë janë të penalizuar mbi 380 zyrtarë. Cili qe kontributi juaj si opozitë nga viti 2005 deri sot në luftë kundër korrupsionit. Ju ftoj ta merrni rolin tuaj nëse thoni që keni kryer funksion, po s’keni bërë gjë. Çfarë bëtë ju, politizuat çdo moment luftën kundër korrupsionit. Ne korrupsionin nuk e marrim me ngjyra. Korrupsioni është në genet e njeriut, por njeriu duhet të disiplinohet, të ketë ndjenjën e ligjit”. Rezultatet e reformave, sipas Kryeministrit, “janë rritja e rrogave dhe pensioneve 120% më tepër se kudo në Europë e më gjerë. Janë një Shqipëri në Quantum Ligë përsa i përket zhvillimit të saj, që la prapa 5 kombe të OECD-së dhe BE-së në ndërtimin e banesave. Janë ndërtimi dhe rindërtimi i 1200 shkollave, energji 24 orë, janë një sistem spitalor modern me aparatura të kohës së fundit”.