Tiranë | Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”

alt

Duke vënë në dukje se ky projekt mbështetet gjerësisht nga shqiptarët, Berisha nënvizoi se “qeveria është plotësisht e përkushtuar në një univers reformash, për të realizuar këto objektiva”. Shqipëria, u shpreh ai, në të kaluarën ka pasur të dhëna të hidhura për krimin e organizuar, tani ka të dhëna të qarta kristal më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE, për sa i përket krimeve të rënda. Berisha deklaroi se “vitin e kaluar patëm më shumë se 4 milionë turistë dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur asnjë problem, veçse ka gjetur mikpritje”. Duke u ndalur në çështjen e korrupsionit, shefi i qeverisë shqiptare u shpreh se “korrupsioni ishte një problem shumë i madh, ende është problem, por ne jemi përherë të angazhuar në luftën kundër tij”. Ai vuri në dukje se “në shumë aspekte ne jemi vendi i parë në botë me prokurime plotësisht elektronike, ka online të gjitha shpenzimet buxhetore në të gjithë vendin, ka një politikë penaliteti kundër korrupsionit, qindra e qindra zyrtarë janë penalizuar gjatë këtyre viteve”. Kryeministri tha se “rezultati i përgjithshëm i kësaj lufte është: në 6 vjet, 7 miliardë dollarë më shumë se më parë, jo të gjitha për shkak të luftës ndaj korrupsionit, por shumica e tyre vijnë nga lufta kundër korrupsionit”. Ndërsa në rezultatet e tjera, Berisha tha se është krijuar një klimë shumë më e drejtë në të gjitha prokurimet publike; janë bërë reforma të thella për privatizimin e të gjithë sektorëve. “Për mua, konsiderimi i korrupsionit si “mater matrix” i të gjitha gabimeve të shoqërisë, është dhe do të mbetet një prioritet kryesor, lufta ndaj tij”, deklaroi Berisha. Më tej, në fjalën e tij, Kryeministri u ndal edhe në një sërë reformash të ndërmarra nga maxhoranca qeverisëse në shumë fusha. ”Reformat tona ekonomike funksionuan dhe ne kemi barrën fiskale më të ulët, përpiqemi të krijojmë një klimë miqësore ndaj investitorëve. Në 4 vitet e fundit, investimet e huaja direkte, duke iu referuar UNCTAD, janë rritur me 316 % dhe eksportet, nga viti 2009, deri në vitin 2011, janë mbidyfishuar”, u shpreh ai. Sipas tij, në 5 vite, rritja ekonomike në total ka qenë 21 %, duke shtuar se “pasojat e krizës globale janë të pranishme, por ne besojmë se liria është ilaçi më i mirë.” Më tej, Kryeministri vuri në dukje se “e vërtetë është se opozita nuk ka qenë asnjëherë një opozitë anti-evropiane. Por ata luftuan, duke mos votuar në parlament dhe kujtuan se, nëpërmjet kësaj, ata do të penalizonin qeverinë dhe se do të përfitonin nga kjo. Por ky ishte një gabim”. Tani, deklaroi Berisha po punojmë bashkërisht në një klimë normale, duke treguar konstruktivitet dhe reciproritet dhe, vjeshtën e shkuar, u arrit një marrëveshje nga të dy palët. Ai shprehu besimin se “kjo klimë do të vazhdojë dhe Shqipëria do të shënojë progres të mëtejshëm në drejtim të integrimit evropian të cilin, si proces, unë e konsideroj të bazuar tërësisht në meritë dhe performancë, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”. Ndërsa në mbyllje të punimeve të Konferencës kryeministri Berisha theksoj se “integrimi është forca më e fuqishme lëvizëse për kombin tonë, për të kaluar të shkuarën e hidhur që ka pasur. Forca kryesore shëruese është integrimi, dhe besimi që vendet tona kanë treguar ndaj këtij procesi.” Kreu i ekzekutivit e theksoi gjithashtu se “kufijtë duhen ruajtur dhe duhen respektuar. Është në interesin më të mirë të vendeve tona që të ruhen kufijtë ekzistues. Përndryshe, ndryshimi më i vogël mund të provokojë një zinxhir ndryshimesh të padobishme, që mund të komprometojnë dhe të ngadalësojnë progresin e rajonit”. Berisha u ndal edhe në marrëveshjen e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila ishte shumë e rëndësishme.” Por, për Kosovën, perspektiva evropiane është jetësore. Dialogu, siç është dëshmuar në 20 vjet, miqtë e mi, mund të funksionojë. Por gjithashtu, ka raste që palët e tjera nuk e konsiderojnë aq serioz, e në këtë rast, duhet të kemi durim dhe të punojmë për këtë”, u shpreh ai. Në përfundim Kryeministri Berisha shprehu falenderime për mbështetjen që “keni votuar kaq herë në këtë tempull për të mbështetur kombet tona. Taksapaguesit tuaj ishin shumë bujarë që dhanë fonde të mëdha, të cilat u shndërruan në vlera, u shndërruan në mirëqenie, në një jetë më të mirë në vendet tona” .

Advertisement