“Mandati i ardhshëm është mandati i përfundimit të plotë të infrastrukturës më moderne në zonat rurale”, tha Kryeministri Sali Berisha, gjatë punimeve të Konventës “Për më shumë mbështetje për fermerët”. “Ne kemi ende shumë për të bërë për fermerët shqiptarë”, tha Berisha duke shtuar se, “PD ka hartuar programin për 4 vitet që vijnë me ekspertët më të mirë për të mbështetur fermerët shqiptarë”. Duke u ndalur te investimet e qeverisë në zonat rurale, Berisha siguroi se “qeveria do të bëjë gjithçka që në 4 vitet e ardhshme çdo fshat i këtij vendi të ketë infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona”. “Ne kemi garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, por bizneset e fermerëve shqiptarë, stallat, fabrikat, frigoriferët, sipërmarrjet e tyre duan furnizimin me energji me cilësi më të madhe”, tha Berisha ndërsa siguroi se “4 vitet që vijnë çdo fshat shqiptar do të llamburisë nga dritat njëlloj si lagjet e qyteteve”. “Ne kemi ndërtuar 8 mijë km rrugë, por dua të garantoj fermerët e tjerë se do të bëjmë gjithçka për të asfaltuar edhe km e fundit në rrugët e fshatarave të tyre. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla, por vrapi ynë nuk do të ndalet kurrë derisa fëmijët e tyre kudo që janë të ulen në shkollat. Kemi ndërtuar e rindërtuar qindra ujësjellës e kanalizime, por nuk do ndalemi derisa të garantojmë ujë të rrjedhshëm për të gjitha fshatrat e Shqipërisë. Të mos e mendoj kush se sukseset do na pengojnë që të shohim vështirësitë”, tha Berisha. Sipas tij “programi i PD-së për 4 vitet e ardhshme është për rrugët e pashtruara, energjinë, ujësjellësat. Përparësi do të jetë kullimi i të gjitha zonave me sera”. Berisha theksoi se, prodhimet BIO janë e ardhmja më e shkëlqyer e fermerëve shqiptarë, ndaj dhe i inkurajoi ata që të ecin sa më shumë drejt prodhimeve BIO, që ato të bëhen të njohura në mbarë Evropën. Shqipëria rurale ka ndryshuar, vijoi Kryeministri, ndërsa theksoi se qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka që 4 vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin në tokën e fermerëve shqiptarë. Gjithashtu Berisha premtoi se “do të bëhet shumë më tepër për arsimin profesional në fermat tona”. “Do të jenë akademikët e vendit që do të udhëheqin zhvillimin e sektorit të bujqësisë”, tha ai. Duke renditur masat e marra nga qeveria në favor të fermerëve, Berisha veçoi heqjen e TVSH-së mbi çdo gjë që përdoret për rritjen e prodhimit. Ai siguroi se e njëjta masë do të zbatohet edhe për plehrat kimike dhe hekurin që përdoret për ndërtimin e serave. Berisha theksoi se, qeveria ka akorduar 5 miliardë e 700 milionë lekë grante subvensionimi për fermerët, ndërsa siguroi se, këto grante do të trefishohen në 4 vitet që vijnë. Në përfundim, Kryeministri u ndal te sektori i peshkimit, i cili sipas tij, do të ketë përparësinë më të madhe në 4 vitete që vijnë. “Shumë shpejt do të bëjmë disponibël kredinë e butë me 20 milionë euro që ata të kenë flotën më moderne në Adriatik dhe Jon. Gjithashtu, kemi hequr të gjitha tarfiat për çdo gjë që nevojitet për peshkimin”, tha Berisha. Ai theksoi se, “Shqipëria nuk do të jetë kurrë vend i zhvilluar pa një Shqipëri rurale të zhvilluar, ndaj dhe ne jemi të vendosur që 4 vitet që vijnë të bëjmë shumë më tepër për Shqipërinë rurale”.