Tiranë | Kryeministri Berisha me gjimnazistët: referendumi për tre ligjet do të bëhet pas zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha u shpreh në një bashkëbisedim me gjimnazistët se do të bëhet çdo gjë për shkollën dhe arsimin, pasi përparësia madhore e vendit është shkolla dhe edukimi dhe arsimimi nuk do rrëzohet nga burokracitë. “Do bëhet reforma më e mirë në arsim, ju jeni gjeneratë fatlume, gjenerata e Facebookut dhe internetit. Prindërit e kanë shqetësim jo të vogël kohën që ju harxhoni në internet, por unë jam me ju, sepse Facebook është një mrekulli komunikimi, në të cilin është e faktuar nga studimet më serioze se lidhja njëri me tjetrin është një faktor shumë pozitiv, ndihmon në pasurinë kulturore, konfortin e jetës.”, deklaroi Berisha. Lidhur me fëmijët që nuk ndjekin shkollën, kreu i mazhorancës bëri me dije se janë 1300 fëmijë që nuk ndjekin shkollën, por se po bëhet e pamundura për arsimimin e tyre pavarësisht mundësive ekonomike. “Çfarë bëjmë ne për nxënësit e varfër. Arsimi parauniversitar kanë librat gati, nga klasa e parë në mature. Së dyti, familjet e tyre kanë ndihmë ekonomike, që është dyfishuar gjatë këtyre viteve. Ne po fillojmë një skemë të luftës kundër varfërisë që bazohet në një praktikë suksesi botëror. Ajo bazohet në besimin se asnjeri nuk është i varfër për shkak të vetes së tij, janë rrethanat, atëherë për të ndihmuar ne do adaptojmë sistemin e mikrokredisë. Ai është një sistem mirëbesimi, dhënies shumash me mirëbesim. Së treti në universitet, asnjëri nuk mbetet për shkaqe ekonomike pa e ndjekur atë, pasi që të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike fitojnë të drejtën e bursës. Vijmë tek anafalbetizmi. Ne kemi një regjistrim, dhe ai tregon si drita e diellit që në Shqipëri ka 1.300 fëmijë që nuk ndjekin shkollën. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka të marrin shkrim dhe këndim”, tha ai. Kreu i Ekzekutivit konfirmoi dhe njëherë mbështetjen ndaj sektorit jo publik të arsimit, ku theksoi se shumë shpejt do të kalojë në parlament ligjin, tokë për shkolla, përmes të cilit do t’u ofrohen biznesmenëve troje falas për ato që duhet të hapin shkolla. Ndërsa jemi në një vit zgjedhor, Kryeministri Berisha i është përgjigjur dhe shqetësimit të maturantëve rreth faktit se a do të kenë influencë në provime zgjedhjet e 23 qershorit, nisur nga fakti se qendrat e numërimit do jenë edhe sivjet në shkolla. “Zgjedhjet janë moment i rëndësishëm për shoqërinë çdo katër vjet, provimet janë ngjarje e rëndësishme për ju dhe ne do bëjmë gjithçka që ju t’i jepni të qetë, do shohim dhe do të udhëzojmë bashkitë dhe komunat që në organizmin e qendrave të numërimit të mos ndërhyjnë në provimet tuaja, që të mos shtyhen ato, por edhe të votoni, pasi krahas provimit duhet të votoni”, tha ai. Në lidhje me votimin e 3 ligjeve për statusin e vendit kandidat, Berisha u shpreh se opozita nuk i voton këto ligje pasi mendon se do të favorizojnë maxhorancën në zgjedhjet e ardhshme. “Por mosmarrja e statusit i privoi Shqipërisë qindra mijëra euro fonde”, tha Berisha. Përsa i përket referendumit për këto 3 ligje, Berisha u shpreh se ai do të bëhet pas zgjedhjeve, pasi 6 muaj para zgjedhjeve referendum nuk lejohet të bëhet.

Advertisement