Takimi i organizuar nga Forumi i Dhomave te Tregtisë te Jonit dhe Adriatikut, në bashkëpunim me shoqatën shqiptare të grave profesioniste dhe afariste, synon promovimin dhe ndarjen e eksperiencave të suksesshme të biznesit që nxisin e mbështesin sipërmarrjen e gruas dhe krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit rajonal. Duke falënderuar përzemërsisht për ftesën e bërë, Kryeministri u shpreh në përshëndetjen e tij se përpjekjet dhe angazhimi i vajzave shqiptare është i një rëndësie kryesore për zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë shqiptare. Kryeministri tha se, pavarësisht nga stadi i zhvillimit në të cilin ndodhet një vend, ekziston muri mijëravjeçar i patriarkisë, i cili gjeneron çdo ditë padrejtësi ndaj gjinisë femërore. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se përpjekja kryesore për të shembur këtë mur përbën kushtin vendimtar për një emancipim të vërtetë shoqëror dhe për shfrytëzimin e potencialit të madh të energjive, të mendjes dhe gjenisë krijuese të grave. Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë dhe përkrahë angazhimin e grave në sipërmarrjet e lira, duke i zgjeruar gjithnjë e më shumë hapësirën e biznesit për to, me bindjen se angazhimi i tyre do të krijojë gjithmonë histori suksesi.