Tiranë | Kryeministri Berisha: mazhoranca i ka bërë të gjitha lëshimet opozitës

berisha mbledhje grupi

Vetëm pak ditë nga seanca e 6 gushtit, ku pritet të votohen ndryshimet kushtetuese, Kryeministri Berisha ftoi kreun e PS-së, Edi Rama, të bashkojnë votat për një qëllim që shkon përtej ndasive politike. Kryeministri Berisha theksoi se heqja e imunitetit është qëllim madhor për vendin. “Shpirti olimpik është shpirti i bashkimit të përpjekjeve për qëllim të mirë. Heqja e imunitetit është qëllim madhor dhe kundërshtohet vetëm nga ata që nuk pranojnë të jenë të barabartë me qytetarin e lirë para ligjit. Ne duhet të votojmë më datën 6 gusht. Një akt të tillë madhor ta shndërrojmë në një histori suksesi për të gjithë. Kjo nuk është garë për kredibilitet por po bëjmë atë që ligjbërësit e kanë bërë përpara shumë vjetëve. Po pranojmë një parim universal që njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe ligjit”, theksoi Berisha. Sipas Kryeministri, heqja e imuniteteve kundërshtohet vetëm nga ato që nuk duan të jenë të barabartë me qytetarin para ligjit, dhe kjo është aq evidente në Shqipëri sa në asnjë vend tjetër”. “Ne duhet të votojmë, dhe i bëj thirrje që një akt të tillë ta shndërrojmë në histori suksesi, nuk fiton qeveria dhe as opozita, por të gjithë bashkë”, deklaroi Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh se mazhoranca i ka bërë të gjitha lëshimet që opozita të votojë për heqjen ose kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. “Ende zoti Rama mesa duket nuk do pranojë të votojë për heqjen e imunitetit dhe kalon nga një pretekst absurd në tjetrin. Edhe njëherë dua ti qartësoj qytetarët se kjo mazhorancë i ka bërë Ramës çdo lëshim të mundshëm me qëllim që ai të lejojë grupin të votojë më 6 gusht. Është zoti Rama që ka kërkuar për 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve të kushtetutës dhe ne këtë e pranuam” theksoi Berisha Kryeministri gjithashtu komentoi edhe deklaratën e opozitës se data 6 gusht është caktuar nga shumica duke theksuar se kjo datë është detyrim ligjor. “Çdo kërkesë që kërkuan ia pranuam dhe më në fund Rama nuk e pranoj datën 6 gusht duke thënë se e caktoi shumica, një e pavërtetë e madhe . Data 6 gusht është një detyrim ligjor. Më datën 12 korrik në seancën plenare asnjë socialist nuk kundërshtoi rendin e ditës ku u caktua data 6 për ndryshimet kushtetutese, as edhe ata që e kundërshtojnë tani. Data 6 gusht është e caktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit”, tha Berisha. “Opozita kërkon imunitet për të mbrojtur korrupsionin dhe veprimtaritë e saj të paligjshme”, u shpreh Berisha, duke shtuar se heqja e imuniteteve pengohet nga disa biznesmenë si z. Kokëdhima që e quajti “nëndetësja gri e PS-së” apo nënkryetari i fshehtë i saj. Sipas Kryeministrit duhet shembur muri i imunitetit, pasi ai përdoret për korrupsion dhe për trafiqe kriminale. “I bëj thirje z.Rama që një akt të tillë madhor ta shndërrojë në histori suksesi. Kjo s’është garë për kredibiletet. Kështu i dërgojmë një sinjal pozitiv edhe miqve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar disa herë heqjen e imunitetit”, tha Berisha.  

Advertisement