Këshilli i Ministrave në këtë kuadër miratoi vendimin “Për të drejtën e publikut për të patur informacion mjedisor”, i propozuar nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Mësohet se me këtë vendim synohet t’i sigurohet publikut shpërndarja në mënyrë sistematike e informacionit mjedisor, vënia e këtij informacioni në dispozicion të tij, si dhe të përcaktojë kushtet dhe mënyrat e duhura për ushtrimin e së drejtës, për të patur informacion mjedisor për shkëmbimin e lirë të opinionit të publikut dhe për pjesëmarrjen efektive të tij në vendimmarrjen mjedisore. Sakaq burime zyrtare nga Kryeministria konfirmuan se ky vendim synon, gjithashtu, përafrimin e legjislacionit shqiptar në mënyrë të plotë me kuadrin e ligjor Europian dhe përmbushjen në mënyrë specifike të detyrimeve që burojnë nga ratifikimi i Konventës së Aarhusit. Ndër të tjera gjatë mbledhjes së qeverisë kreu i shtetit, Berisha deklaroi se ky vit duhet të jetë i suksesshëm në të gjitha drejtimet, duke garantuar opozitën se mazhoranca do të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me të. Kryeministri Berisha apeloi se askush nuk mund të marrë peng politikën, duke nënvizuar se mazhoranca është e hapur për një bashkëpunim të sinqertë me opozitën kah zhvillimit të vendit. Në këtë suazë kreu i qeverisë uroi që në këtë vit të miratohen ligjet me 3/5 që kanë mbetur pa u miratuar, si dhe të kryhet plotësisht reforma elektorale. Duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, pasi mandati i Presidentit aktual përfundon në muajin Korrik të këtij viti, Kryeministri Berisha garantoi se Presidenti i Republikës do të zgjidhet sipas Kushtetutës, duke siguruar se çdokush që do të kërkojë ndryshime sipas dëshirave do të dështojë. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për ti imponuar Shqipërisë, për ti kushtëzuar asaj, dëshira suplementare, në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për ti dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve te vendit, me integritet të plotë”, nënvizoi Berisha për këtë çështje.