Tiranë | Kryeministri Berisha kërkon mobilizim të strukturave të PD-së për zgjedhjet e qershorit

Kryeministri Sali Berisha kërkoi gjatë takimit me krerët e Partisë Demokratike në rrethe, mobilizimin total të të gjitha potencialeve të PD-së dhe strukturave të saj në rrethe, ndërsa mbeten edhe 118 ditë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Berisha deklaroi se “Partia Demokratike, si forcë kryesore politike, shkon drejt 23 qershorit e vendosur të përpunojë vizionin dhe projektin më të mirë të Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane për 4 vitet që vijnë”. Sipas Kryeministrit, PD ka qenë dhe do mbetet lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet parti e reformave të mëdha, reformave dhe suksesit të tyre. “Ne sukseset do t’i mbrojmë, nuk janë personale, janë sukses i reformave dhe qytetarëve. Po në rast se ne do t’i përdorim ato si një eufori do të ishte e padrejtë. Ne sukseset i kemi për t’i bindur se mbajmë premtimet, se jemi ndryshimi, se ne në këtë periudhë qeverisje kemi bërë transformimet më të thella. Në dialogun me qytetarët ne duhet të bindim ata se interesi i tyre është interesi më madhor. Ne duhet t`i bindim qytetarët që anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe, lëvizja e lirë është realizimi i ëndrrave shekullore të shqiptarëve, por të mos harrojmë që mbrojtja nga kjo krizë që ka pushtuar Europën dhe vendet e tjera ka qënë suksesi më i madh pas atyre arritjeve për çdo shqiptar”, shtoi më tej Berisha. Berisha tha se partive nuk u shërbejnë klishetë, dhe nëse ka një parti në botë, e cila është e çliruar nga klishetë sipas shefit të mazhorancës, ajo është Partia Demokratike, e cila është e bazuar tek të rinjtë, te energjia e tyre, ndaj ftoi krerët e selisë blu në rrethe që të dëgjojnë sa më shumë zërat e qytetarëve, shqetësimet dhe problematikën e tyre, qoftë edhe zërin më të mefshtë. Kryeministri Berisha akuzoi kryesocialistin Rama sa i përket deklaratave të tij për ekonominë. “Kur zotëria bërtet se kryeministri e krahason Shqipërinë me Gjermaninë bëhet qesharak, rritja ekonomike është rritje ekonomike kudo qoftë ajo. Ata që shpallën që Shqipëria ka një rritje 4 për qind më të madhe në rajon, ata e kanë të qartë se rritja matet si përqindje e GDP. Ai u premtoi shqiptarëve se do të vendosë një ligj që borxhin ta llogarisë banka e shtetit dhe ta llogarisë si përqindje e prodhimit të brendshëm të GDP. Nëse do ta vendosim në një sferë këtë modul do të ishte injoranca e pakufishme. Po të paktën kur nuk i ke të qarta mos i thuaj sepse kjo tregon që ekonomia tek t’i ka mbetur te ngjyra gri të piktorit të dështuar”, shtoi Berisha. Kryeministri deklaroi se papunësia në vend është 13% sipas Komisionit Europian, duke u faktuar si i vetmi vend në rajon në të cilin papunësia nuk u rrit, por përkundrazi u ul, ndërsa shtoi se “zgjedhjet plotësuan standardet e OSBE dhe ato bënë të mundur rekomandimin për statusin kandidat. Çdo njeri që nuk ka punë, çdo njeri që është i papunë, ka alternativë të zgjedhë. Paralel me ne është alternativa tjetër, e cila para 4 vjetësh tha se do punësojë 300 mijë vetë, ndërsa tani tha se do punësojë 300 mijë, 250 mijë e të cilëve do jenë gra. Por me alternativën e tij për taksën progresive, po shkatërron dhjetëra mijëra vende pune”, tha kreu i qeverisë.