Gjatë pritjes kryeministri Berisha u shprehu falënderimet për përfaqësimin që ata i bëjnë Shqipërisë dhe imazhit të saj në vendet e tyre, duke i ftuar të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për të arritur qëllimin më madhor, Shqipërinë vend i zhvilluar. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha nënvizoi se është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj. Shqipëria po adopton një politikë të jashtme paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi dhe po punon në rajon për integrimin rajonal, si një proces kyç për të kaluar vështirësitë e së kaluarës. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe po bën më të mirën për të përmbushur të gjitha detyrimet. Prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në performancë. “Ne kemi pasur një trashëgimi të vështirë dhe të hidhur. 19 vjet më parë, siç e dini, Shqipëria ishte vendi i tretë apo i katërt më i varfër në botë. Ne e filluam këtë udhëtim si një vend me 204 dollarë të ardhura për frymë dhe tani qëndrojmë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, tani jemi një vend me mbi 8000 dollarë të ardhura për frymë. Shqipëria ishte vendi më i kolektivizuar në botë. Sot, Shqipëria është një nga vendet më privatë në botë. Qeveria e Shqipërisë qëndron mes 10 qeverive më të vogla në planet. Shqipëria po e bazon zhvillimin e saj plotësisht mbi iniciativën e lirë, duke shfrytëzuar liritë.”, theksoi kryeministri Berisha. Ai u tha Konsujve të Nderit se ne jemi përpjekur të krijojmë në këtë vend klimën më të mirë për bizneset dhe investitorët. Disa indekse në këtë aspekt tregojnë se ka progres. Ndërkohë që në botë investimet e huaja direkte për periudhën 2007-2010 u zvogëluan me 37 për qind, në Shqipëri, investimet e huaja direkte për periudhën 2006-2010 u rritën me 316 për qind. Eksportet në vend për periudhën 2006-2011 u rritën me 300 për qind. “Ne nuk e njohëm recesionin ekonomik. Sigurisht u përballëm me pasojat e krizës ekonomike globale dhe europiane, por në vend nuk u zhvillua asnjë recension ekonomik. Liritë ekonomike në botë vitin e kaluar u ngadalësuan, ndërsa në Shqipëri u rritën me 16 për qind.”