“Duhen aplikuar mirë dy qëndrimet: ai i amnistisë dhe ai i faljes, pasi kjo e fundit do të jetë për të gjitha detyrimet dhe gjobat. Ato duhet të jenë një shans i ri për të gjitha bizneset. Por si amnistia dhe falja, duhet të jenë më të plota për biznesin e vogël dhe kjo për faktin se 80% e të punësuarve në sektorin privat, janë në kuadrin e tij dhe se ai është gjenerator i fuqishëm i ekonomisë”, u shpreh Berisha. Kryeministri ka shtuar më tej se nëse opozita nuk e miraton projektin e amnistisë fiskale për biznesin, atëherë qeveria ka gati projektin për aplikimin e faljes. Sipas tij, projekti i amnistisë fiskale kërkon 2/3 e votave, por ligji i faljes, nuk kërkon kaq, kështu që kjo e fundit mbetet opsioni i zbatueshëm ndaj bizneseve nëse opozita nuk bashkëpunon për ligjin e amnistisë fiskale.