Kryeministri Sali Berisha e cilësoi një vendim historik votimin në seancën e Kuvendit për miratimin e kontratës që fillon ndërtimin e veprës më të madhe hidro-energjetike në historinë tonë kombëtare në Kaskadën e lumit Devoll. “Kjo kontratë, së pari, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi në këtë vepër do të punësohen gjatë ndërtimit të saj, 4-5 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë të qarkut të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Së dyti, ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse përbën një investim tjetër gjigand, madhor në historinë e vendit, përbën kurorëzimin dhe suksesin më të madh të përpjekjeve të kësaj mazhorance për ta bërë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja”, tha Berisha. Sipas kreu të qeverisë, kjo kontratë përbën një tjetër sukses të madh po të kemi parasysh kohën në të cilën ndodh, kohë recensioni, krize për vendet më të zhvilluara të Europës. “Kjo përbën një arritje madhore të strategjisë tonë të shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, theksoi Berisha. Duke iu drejtuar qytetarëve, Berisha theksoi se “në këtë sallë, ju në mënyrën më të përsëritur keni parë deputetë të opozitës të votojnë kundër koncesioneve, kundër kontratave, por dua të them se në historinë e zhvillimit të Shqipërisë firmosja e rreth 127 kontratave për ndërtimin me koncesion të mbi 360 HEC-eve nga 2007-a deri sot përbën një sukses të madh për çdo qytetar shqiptar”. Sipas kreu të qeverisë, “kontrata që deputetët votojnë sot dhe që fillon zbatimin shumë shpejt, ka një meritë tjetër të madhe, e vendos Shqipërinë në kuotat më të larta të projekteve në Europë”.