Kështu deklaroi Kryeministri Sali Berisha në pritjen për pjesëmarrësit e forumit të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), me përfaqësues të 30 vendeve të ndryshme, që nis të mërkurën në Tiranë. Kryeministri Berisha shprehu gjatë fjalës së tij angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur çdo biznes të huaj që investon në vend. Berisha vlerësoi se investitorët e huaj kanë arsye të forta të investojnë në Shqipëri. “Koha në Europë është kohë krize, kriza e borxheve dhe euros, por që është e lidhur shumë me globalizmin, ndërkohë që Shqipëria ka arritur të ruajë rritjen ekonomike në gjithë këto vite të vështira. Shqipëria ia ka dalë të ketë një rritje 4 herë më të madhe se vendet e rajonit, si dhe të rrisë investimet e huaja, të ketë treg pune fleksibël si dhe burime natyrore, zhvillimin e infrastrukturës, modernizimin e sistemit shëndetësor dhe axhendës dixhitale. Por, mbi të gjitha, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka qënë një ndihmë e madhe për të rritur besimin e investitorëve të huaj”, deklaroi Berisha. Kreu i Ekzekutivit konfirmoi edhe një herë, duke iu referuar treguesve edhe nga institucionet ndërkombëtare, se “Shqipëria arriti t’i bëjë ballë krizës ekonomike dhe potencialet e resurset e këtij vendi janë burim i pashtershëm për të realizuar sipërmarrje eficente”.