Tiranë | Kryeministri Berisha: ekonomia u rrit me 2.7%

qeveria

Kryeministri Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e sotme të qeverisë se sfida kryesore për ekonominë e vendit është përballimi i krizës financiare globale, ndonëse , sipas tij, ekonomia shqiptare pati rritje gjatë viti të shkuar. “Këtë e tregon edhe statistikat e tremujorit të parafundit të ekonomisë shqiptare në vitin 2012, me një rritje prej 2.7 %, krahasuar me një vit më parë”, tha shefi i qeverisë.
“Kjo rritje përbën një sukses të madh, të vërtetë për të gjithë ata që kanë konceptet më elementare të ekonomisë, të rritjes, të recensionit, të krizës. Ajo përbën përballjen më të suksesshme në rajon, por dhe në botë me krizën aktuale, përbën dëshminë e suksesit të reformave të këtij vendi, të pranuara dhe nga FMN”.
“Raporti i FMN vlerëson në mënyrën më të qartë qëndrueshmërinë e kësaj ekonomie. Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët. Nuk mund të ketë tregues më të thellë qendrueshmërie në kuptimin më absolut të fjalës sesa aftësia, suksesi i shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Kjo dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër për të gjitha reformat, politikat dhe suksesin e tyre. Atë pasuri që krijohet ta shndërrosh në rroga, pensione, rrugë, infrastrukturë” tha Berisha.
Duke hedhur poshtë akuzat e opozitës mbi rënien e ekonomisë shqiptare, Kryeministri u shpreh se, “po të kemi parasysh që tremujorin e kaluar në këtë kohë krize të madhe, kur dhe ekonomia më e madhe e botës pati rritje vetëm 0.7%, ekonomia shqiptare pati rritje 2.7%. I gjithë debati ose bëhet me keqdashje, sepse mendojnë se duke ndjellur krizë, marrin vota ose bëhet nga injoranca. Njerëz të cilët me filxhanin e kafesë flasin mbi ekonominë pa pasur as njohuritë më të vogla mbi rritjen dhe recensionin”.
“Është folur shumë në media se ka rënë fuqia blerëse, por xhiroja e përditshme e sipërmarrjes shqiptare është një tregues që nuk është kurrë më i vogël se ç’deklarohet, është gjithnjë më i madh se ç’deklarohet. Asnjë biznes nuk ka asnjë lloj interesi që të deklarojë më shumë sesa fiton. Mund të deklarojë më pak, por xhiro më të lartë nuk e deklaron askush”, tha kreu i qeverisë.
Sipas tij, “çdo kilometër rrugë që ndërtohet është një akt mirqënie për qytetarët ku kalon rruga”.
“Do të përballojmë me sukses krizën, duke mbështetur biznesin. Duhet të thellohet më tej mbështetja e biznesit. Kemi nisur me një ligj që hoqi TVSH-në për makineritë, por a mund të ndalemi me kaq ?” u shpreh Kryeministri.

Advertisement