Tiranë | Kryeministri Berisha: çështja e mjedisit, kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve

Saturday, January 17, 2026

Shefi i qeverisë iu referua studimeve më të fundit bashkëkohore në botë që faktojnë se 40% e vdekjeve vijnë nga ndotjet e ajrit. Kryeministri raportoi edhe situatën më të fundit sa i përket varrezave të makinave në rrugët kombëtare, që janë shndërruar në problemin kryesor të rritjes së ndotjes së mjedisit. Kryeministri tha se nga kontrolli i Inspektoriatit të Mjedisit raportohet se janë larguar plotësisht nga vendndodhjet e tyre 317 grumbullime apo varreza makinash, ndërkohë që janë procesin e largimit 77 të tjera. Në vijim shefi i qeverisë bëri me dije se vetëm katër prej këtyre vendgrumbullimeve janë problematike, duke garantuar se mbi to do të veprojë ligji. Ndotja e mjedisit në Tiranë ishte një tjetër pikë e këtij shqetësimi, duke e vërejtur këtë si një emergjencë që kërkon zgjidhje të shpejtë. Kryeministri inkurajoi autoritetet e mjedisit të bëjnë matjet e në rast se ka tejkalime duhet të kryhet një aksion nga autoritetet vendore për zgjidhjen e problemit të ndotjes në Tiranë. “Nuk mund kurrsesi të helmojmë njerëzit. Tirana ka nevojë për punë të mëdha, por emergjencës duhet t’i përgjigjemi me emergjencë, pasi nuk kanë kusur mijëra fëmijë të vuajnë pasojat e ndotjes në kryeqytet”, tha Berisha. Në vijim të fjalës së tij, shefi i ekzekutivit vlerësoi qeveritë vendore, duke i inkurajuar që në axhendën e tyre çështje të parë të vendosin çështjen e mjedisit, si një kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. “Problemi i ndotjes duhet të konsiderohet parësor, dhe shmangia e saj një problem madhor, pasi unaza e hidrokarbureve është thellësisht kancerogjene”, tha kryeministri duke shtuar se ruajtja e shëndetit të qytetarëve përbën qëllimin kryesor të qeverisë. Këtu, ai vërejti qytetin e Korçës, ku ndaloi dy ditë më parë duke vlerësuar se “Në Korçë, nuk të kapte syri një copë letër, dhe inkurajoj që të kemi këtë nismë në të gjithë Shqipërinë. Pse të mos e kthejmë këtë nismë mbarëkombëtare, ne duhet të bëjmë një luftë të vendosur për largimin e të gjitha plehrave”, tha kryeministri. Ai nënvizoi se edhe do të ketë sanksione të rrepta për ata që nuk paguajnë gjobat. Duke folur për decentralizimin e pushtetit vendor, kryeministri Berisha deklaroi se brenda dy muajve do të merren të tëra vendimet për decentralizimin e pushtetit vendor dhe lënien në administrimin e bashkive dhe komunave të të gjitha pronave në territoret përkatëse. Duke e çmuar decentralizimin si vendimtar për zhvillimin e vendit, shefi i qeverisë tha se përveç nëntokës dhe ujërave qeveria nuk do të ketë më asnjë autoritet mbi vendorët. “Ftoj qeveritë vendore të vendit të depozitojnë në Ministrinë e Brendshme çdo provë se prona nuk u është kthyer; së dyti pyjet kullotat duhet t’u kthehen të tëra qeverive vendore”. Ndërsa sa i përket parqeve kombëtare, shefi i ekzekutivit tha se do të ketë një statut të përbashkët edhe për to, sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria. Sipas kryeministrit, parku kombëtar duhet të jetë vetë Zot i pasurive të mëdha. “Kërkesat e qeverisë vendore janë ekzotike për partneritet publik privat”, andaj tha kryeministri, “ne me shpejtësi brenda dy muajve do të marrim të tëra vendimet për një decentralizim të fuqishëm”. Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu të bëhet decentralizimi fiskal që do të krijojë një mjedis më miqësor për biznesin. Këtu kryeministri rikujtoi gjashtë ligje që kanë mbetur pezull në parlament si rezultat i bojkotimit të votimit nga opozita. Sipas kryeministrit opozita nuk i votoi këto ligje, me urdhër të kreut të saj, që priste të bëhej kryeministër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -