Kryeministri Sali Berisha i bëri sot apel kryetarit të LSI-së, Ilir Meta që të mos e shndërrojë votimin e tre ligjeve të integrimit në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij. “I kërkoj Ilir Metës në mënyrë të prerë, që të mos e shndërrojë votimin e tre ligjeve në pazar për lista të zeza në kurriz të mbështetësve të tij. Të vijë këtu, se kjo botë nuk mund të konceptohet thjesht si pazar. Tani është bërë lista e zezë, se cilët pranohen dhe cilët nuk pranohen nga LSI. Ndaj dhe sot u shty votimi i tre ligjeve”, tha kryeministri. Ai përsëriti përgjegjësinë e madhe të kryetarit të opozitës, Edi Rama në mosvotimin e tre ligjeve, e cila çoi në mospërfitimin e statusit të vendit kandidat. “Përgjegjësia e tmerrshme bie mbi atë (Ramën) që mori peng statusin e vendit kandidat; mbi atë që i privoi shqiptarëve qindra miliona euro investime dhe donacione private të vendeve anëtare të BE-së. Unë, me padurim, prita sot t’i votonim, por prapë vazhdojmë t’i kemi çështje pazaresh”, theksoi kryeministri Berisha. Më pas ai i kërkoi kryetares së Kuvendit që këto tre ligje të vazhdojnë të qëndrojnë në rendin e ditës së punimeve të parlamentit, për t’u votuar në çdo kohë. “Por, vijoi Berisha, pa përfunduar pazaret me njëri-tjetrin ligjet nuk mund të votohen. Ata (deputetët e opozitës) ikën nga salla sikur ishte futur ndonjë substancë apo halor në karriget e tyre. Ikën, por karriget e tyre bosh flasin shumë më tepër”, u shpreh kreu i qeverisë. Në fund të seancës së sotme duke konfirmuar gadishmërinë e maxhorancës për të votuar në çdo kohë tre aktet e rëndësishme të integrimit Berisha tha se “pavarësisht, kësaj statusi është i bllokuar”. “Por, të paktën shmanget referendumi, organizimi i të cilit i kushton taksapaguesve shqiptarë disa miliona euro. Shpresoj që së shpejti pala tjetër të rikthehet në karriget e veta për të votuar tre ligjet, sipas premtimeve publike, të cilave ata nuk i përmbahen”, nënvizoi kryeministri sot në parlament.