“Përpjekja e Ramës për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për t’u paraqitur si i interesuar për reformat, ndërkohë që vetë i bllokon, është një përpjekje qesharake. Por, ai i bllokon reformat se ka frikë mos merret një vlerësim pozitiv për statusin”, tha Berisha. Sipas tij, detyrimin për votimin e ligjeve nuk është ndaj mazhorancës, por ndaj qytetarëve që e kanë votuar. “Je i vetmi në Europë që kërkon kapital politik mbi bllokimin e reformave dhe fatkeqësitë natyrore. Janë fatlum shqiptarët që ky nuk mund të bllokojë dhe është i papeshë”, iu drejtua Berisha kreut të PS-së. Duke u ndalur tek reforma e rregullores parlamentare, kryeministri tha se ajo u bllokua që në mbledhjen e parë. “Gjatë verës dhe vjeshtës që kaloi në serialin e ultimatumeve të Ramës figuronte se kusht ultimativ ishte që rregullorja e parlamentit të kufizonte me 10 minuta kohë fjalën e kryeministrit të vendit, ndërkohë që Kushtetuta e çdo vendi demokratik, kryeministrit i njeh të drejtën e fjalës në çdo kohë që ai dëshiron të flasë. Rama, duke perceptuar qartë se shqiptarët nuk e kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, mendoi se zgjidhja është t’i shkurtojë kohën kryeministrit, dhe kjo është qesharake”, tha Berisha. Lidhur me reformën zgjedhore kryeministri tha se as në komision e as në grup të ekspertëve opozita nuk ka paraqitur asnjë amendament të vetëm që nuk është shqyrtuar. “Deri tani kanë propozime vetëm me dënime. Pa diskutim që do të ketë penalitete, por të mendosh të vesh dënime 7 ose 8 vjet për një fletë votimi, kjo e bën të pazbatueshëm, megjithatë e kemi pranuar”, tha Berisha.