Tiranë | Kryeinfermieri qëllohet me karrike nga pacienti

Qëllohet me karrige kryeinfermieri Ruzhdi Merja në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në spitalin numër 2, në pavionin e Urologjisë në QSUT, ku mëngjesin e sotëm, kryeinfermieri është goditur me karrige nga një pacient që priste të kryente goditjen e gurëve në veshka. Shkak për dhunën, bënë të ditur burime të QSUT është bërë mosvënia në funksion e aparaturës për shkak të cilësisë së dobët të rrymës elektrike. Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” reagoi duke deklaruar se bluzat e bardha ndihen të kërcënuar nga ngjarje të tilla, ndërkohë që, autorët duhet të ndëshkohen. Drejtori i QSUT, Edmond Rrushi, tha se “Sulmi ndaj infermierit Ruzhdi Merja është një ngjarje shumë e rëndë, kush godet bluzat e bardha do të ndëshkohet”, tha ai, duke shtuar se infermieri është në gjendje më të mirë shëndetësore. Rrushi sqaroi ngjarjen, duke theksuar se ka patur një defekt të energjisë dhe për këtë shkak është pezulluar ndërhyrja tek pacienti. Sipas tij, nga mungesa e energjisë janë pezulluar disa ndërhyrje kirurgjikale.

Advertisement