Tiranë | Kryebashkiaku Basha përmbyll konsultimet për pr/buxhetin 2012

alt

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj njësie, kryebashkiaku Basha premtoi se për njësinë bashkiake nr.3 nga buxheti i bashkisë do të investohet për rikualifikimin urban të blloqeve të banimit dhe do të investohet për rikonstruksionin e kopshteve dhe shkollave. Ai premtoi se me projektbuxhetin e Bashkisë prej 70 milionë dollarësh për vitin 2012 do të rikualifikohen tre blloqe banimi ai te “Kodra e Priftit”, blloku “Sadik Petrela” dhe blloku i banimit “Qemal Stafa” si dhe do të rikonstruktohen rruga “Bajram Çela”; kopshti nr. 1 dhe shkolla “Niket Dardani” dhe të tjera. Sipas Bashës gjatë vitit të ardhshëm do t’i jepet zgjidhje edhe një çështjeje tjetër, pasi do të shpronësohen banorët e prekur nga rikualifikimi i sheshit “Shtraus”. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e njësisë 3 Kryetari i Bashkisë theksoi se bashkia do të shpërblejë me një fond të posaçëm edhe nxënësit më të mirë të shkollave, si një mjet për inkurajimin e tyre. “Për vitin shkollor 2011-2012 ne kemi planifikuar në buxhetin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10. Kemi planifikuar një fond prej 14 milionë lekësh për të njëjtin qëllim për pagesën e periudhës 15 prill-qershor 2011, pagesë e cila u krye nga bashkia. Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga bashkia”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës. Konsultimi i projektbuxhetit të Bashkisë është pjesë e vizionit të Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha për një qeverisje të qytetit në mënyrë transparente dhe nën moton se qyteti nis nga pragu i derës së çdo qytetari.

Advertisement