Gjatë një fjalimi përpara deputetëve të grupit kuvendor socialist Rama u ndal në interpelancën e së Enjtes, që kryeministri Berisha pati me deputetin socialist Erion Braçe. “Berisha nuk iu përgjigj pyetjeve tona, por zaptoi foltoren dhe mbajti një fjalim me përralla e marrëzira, ne synimin e vetëm: të ofendojë opozitën. Ndërkohë ne, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga pala tjetër për ofertën tonë me 10 pika për paktin kombëtar. U kemi shtrirë dorën për të shmangur një shuplakë tjetër nga Europa dhe kemi marrë si përgjigje shpifje banale e personale, asgjë për paktin”, tha kryetari i PS përpara deputetëve. “Dua t’ia kërkoj sot Saliut, me zë dhe me figurë, të vijë në një debat. Shqipëtarët meritojnë të dinë nga ne, çfarë synojmë ne opozita me këtë pakt dhe si mund ta bëjë Saliu Shqipërinë si gjithë Europa pa këtë pakt me opozitën. Vetëm duke sharë opozitën nuk përshpejtohet integrimi. Nëse ka propozim tjetër, Berisha është i ftuar ta paraqesë, pasi ne do ta shohim me seriozitet”, ka garantuar Rama duke përsëritur ftesën për debat me kryeministrin. “Integrimi nuk është si vallja e shpatave që mund të hidhet tek pullë. Unë kam bindjen se Saliu nuk e do statusin e vendit kandidat. Por, në respekt të qytetarëve që Berisha përfaqëson, jemi të detyruar të bashkëpunojmë. Pavarësisht sjelljes vulgare, ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Ne do organizojmë disa tryeza publike dhe do hapim me transparencë dialogun e domsodoshëm me të gjithë aktorët e faktorët e interesuar për këtë proces”, tha mes të tjerash kryetari i PS-së.


