“Korrupsioni mbetet serioz sepse në fakt, sot ka një pushtet familje në pushtet që është ngjitur mbi ligjin dhe shërbëtorët e saj gëzojnë imunitet për vepra shumë të rënda korruptive, falë presionit mafioz të pushtetit të familjes mbi drejtësinë e mbi njerëzit e drejtësisë” tha Rama. “Në këtë kontekst, kur miqtë e partnerët tanë evropianë detyrohen të përmendin, në raportin më të rëndësishëm për Shqipërinë, emrin konkret të një ministri të riveshur me imunitet e të ricikluar në qeverinë e vendit, fill pas riciklimit të pushtetit të familjes përmes grabitjes së zgjedhjeve, në emër të opozitës shqiptare rikërkoj dorëzimin para drejtësisë të Fatmir Mediut e Lulzim Bashës. Dy oborrtarët e pushtetit të familjes, të cilët nga ana e tyre fshehin sekretin e implikimit të drejtpërdrejtë të Familjes në Pushtet, qoftë në krimin shtetëror të Gërdecit, qoftë në krimin ekonomik të zhvatjes së fondeve të rrugës Durrës-Kukës, duhet të gjykohen deri në fund” tha më tej Rama. Sipas tij, organet e drejtësisë duhet të tregojnë përgjegjshmëri dhe integritet profesional për të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore që mundësojnë gjykimin e të gjithë atyre që Raporti i Komisionit Evropian i quan shprehimisht personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit, pavarësisht statusit apo pozicionit të tyre shoqëror. “Mosgjykimi deri në fund i tyre përbën edhe njërën prej zonave më të errëta të pasqyrës së këtij raporti shumë realist për Shqipërinë, ashtu sikundër mosgjykimi deri në fund i grabitjes marramendëse të fondeve të rrugës Durrës-Kukës lë hapur një tunel të errët korrupsioni ku sot e gjithë ditën treten fondet e punëve publike të qeverisë së Gërdecit’ deklaroi kryesocialisti Edi Rama.