Në mesazhin e tij të urimit Haradinaj shprehet, “në emër të AAK-së më lejoni t’ju uroj për fitoren e së djathtës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. AAK-ja dhe unë personalisht konsiderojmë se fitorja e koalicionit të djathtë do të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e mëtejshëm të reformave të nisura në Shqipëri si dhe përgatitjen e vendit për integrimin evropian”. Më tej në letrën e tij drejtuar kryeministrit Berisha thuhej ”AAK uron të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje si dhe për një mbarëvajtje të admirueshme gjatë gjithë procesit zgjedhor. AAK është e bindur se Shqipëria me këtë nivel të zgjedhjeve të lira dhe demokratike ka dëshmuar se është vend i cili respekton parimet demokratike dhe është e gatshme për t’iu bashkangjitur familjes së madhe të Bashkimit Evropian”, vazhdon letra.”AAK është e bindur së ky proces zgjedhor, i cili ka përshkruar një nivel të lartë të demokracisë, do të ndihmojë edhe Republikën e Kosovës në proceset demokratike dhe zgjedhore që e presin përpara. AAK beson se së shpejti edhe në Kosovë do të triumfojë e djathta”, përfundon letra që Haradinaj i ka dërguar kryeministrit Sali Berisha.