Në krye të delegacionit që do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s është Presidenti i Republikës Bamir Topi i cili do të mbajë fjalën përshëndetëse në prag të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në këtë organizëm. Në delegacionin zyrtar të Shqipërisë përveç Presidentit Topi do të jenë Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Topalli, Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, dy kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së. Takimi në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme për vetë Aleancën, Afganistanin por edhe marrëdhëniet me Rusinëm do të jetë nën trysninë e protestave anti-NATO, të cilat kanë nisur dhe kanë provokuar edhe përplasje me policinë në jug të Strasburgut. Autoritetet shqiptare kanë bërë të qartë se dëshirojnë t’i përgjigjen shqetësimeve të Natos, duke konfirmuar angazhimin e bërë publik nga kryeministri Sali Berisha gjatë takimit në Washingtion me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton, për të rritur praninë në Afganistan edhe me një tjetër kompani. Aktualisht, Shqipëria ka atje 135 ushtarakë të saj në Kabul dhe Herat.