Me katër vota pro të shumicës Komisioni Qëndror i Zgjedhje ka vendosur për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të kaluara. Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votimin pasi braktisën mbledhjen duke e cilësuar vendimin për djegien e fletëve në kundërshtim me kushtetutën. Në fjalën e saj nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi deklaroi se e gjithë situata aktuale nuk do të ndodhte nëse do të merrej parasysh kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për të rinumëruar 4 zona. Pas fjalës së Subashit përfaqësuesit e PS-së janë larguar nga mbledhja e KQZ-së. Ndërkohë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani e konsideroi si hipokrizi pretendimet e përfaqësuesve socialistë duke theksuar se ata ndërkohë që pretendojnë që të zgjidhin çështjet pa pritur çohen dhe largohen nga KQZ. Ndërkohë KQZ-ja ka vendosur që proçesi i djegies së fletëve të votimit do të fillojë më 7 janar dhe të përfundojë më 5 mars.